S’ka kuorum për votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare, Kuvendi ndryshon rendin e ditës

Prishtinë | 08 Mar 2023 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Në mungesë të kuorumit, me një orë vonesë ka nisur vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën është paraparë të shqyrtohen 52 pika të mbetura pa përfunduar në nëntë seanca plenare të kaluara.

Kuvendi ka nisur punimet vetëm pas heqjes nga rendi i ditës i votimit të tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në sallë ka pasur kuorum për votimin e tyre, por në qëndrimet e mëhershme Grupi Parlamentar i LDK-së ishte deklaruar se nuk do të marr pjesë në votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”, që ka qenë pika e parë në rendin e ditës.

Vendimet për marrëveshje ndërkombëtare merren me dy të tretat e deputetëve.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka propozuar një mocion për zhvendosjen e tri pikave të para të rendit të ditës, që janë marrëveshje ndërkombëtare, në fund të rendit të ditës.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që nga rendi i ditës të largohet vetëm pika e parë.

“Pika e parë të spostohet dy marrëveshjet e tjera kemi kuorum dhe mund t’i votojmë”, është shprehur Tahiri.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se është e paqartë se çfarë po kërkon propozuesja e mocionit.

“Ajo propozoi mocion derisa në sallë të bëhen 80 deputetë, në sallë janë 82 deputetë”, është shprehur Gashi.

Pas kësaj mocioni i LVV-së është hedhur në votim dhe ka kaluar. Në këtë formë rendi i ditës është ndryshuar dhe Kuvendi është duke vazhduar me shqyrtimin e pikave të tjera.

Të ngjashme