Asnjë mbetje mortore nuk është gjetur në pikën e parë të gërmimeve afër kishës ortodokse serbe e në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në të cilën dyshohej për varrezë masive.
Kështu ka bërë të ditur Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Ndërkohë edhe sot që në orët e hershme të mëngjesit kanë filluar gërmimet në pikën e dytë dyshuese afër kishës.
Pjesa tjetër ku dyshohet për varreze masive te rektorati pritet të gërmohet ditëve në vijim.
Edhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, kishte deklaruar se gërmimet kanë filluar me urdhëresë të Prokurorisë, duke shtuar se gërmimet do të zgjasin aq sa ka nevojë derisa të eliminohen të gjitha dyshimet.
Gërmimet në këtë pjesë kanë filluar nga e mërkura nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, pas deklaratave nga dëshmitarë të shumtë se aty gjenden trupa të varrosur që nga koha e luftës.
Për të filluar gërmimet në kampusin e UP-së, kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Serbi, Velko Odalloviq, ka thënë se ka leje edhe nga kisha Ortodokse serbe.