Zyrtarët policorë që gjashtë muaj janë duke punuar me orar të zgjatur për shkak të përhapjes së virusit Covid-19. Madje, policëve u janë ndaluar edhe pushimet vjetore sivjet.
Kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi tha për gazetën Objektiv se javën e ardhshme do të ketë një takim me menaxhmentin e Policisë, për të folur për këtë çështje.
Sipas saj, policët kanë nevojë për pushim vjetor pasi qe një kohë të gjatë janë duke punuar me orar të tej zgjatur, nga 12 orë në ditë.
“Ne kemi biseduar me menaxhmentin e Policisë dhe kemi kërkuar qe pushimet vjetore te ju lejohen policeve të paktën ashtu siç edhe e ka shëndetësia, akoma jemi ne bisedime qe pushimet te ju lejohen dhe besoj se gjate javës që vjen do ta kemi serish takime me drejtorin e Policisë për shume çështje jetike. Është e drejt e çdo polici të ketë pushimin ashtu siç i takon. Ne kemi konsideratë në çdo vendim, do të ishte e mirë që edhe drejtoria të ketë konsideratë në lodhjen e policëve”, tha Kamberi.
Sipas Kamberit, nëse kërkesa e tyre nuk realizohet, do të protestojnë.
“Ne po kalojmë me një përudhë shumë të vështirë me lodhje psikike dhe fizike ka më shumë se pesë muaj ku as një pjesëtarë i policisë nuk ka kohe as për familjen e vetë, sepse ka angazhime çdo ditë e me shumë në asistime te Inspektoratit Shëndetësor, por edhe ne punët primare. Gjithashtu, kërkesat tona ende nuk janë realizuar. Presim ne çdo moment që në raste te mos realizimit të kërkesave kryesia e SPK-së do të ndërmerr hapa radikale”, shtoi Kamberi.
Ndërkohë, nga zyra për media e Policisë kanë bërë me dije se tani për tani nuk ka pushime vjetore për shkak të pandemisë. Megjithatë, pushimet e policëve nuk do të humbin, por do të shtyhen.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmë se, referuar situatës dhe rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, Policia e Kosovës është duke punuar me kapacitete të plota dhe me orar të zgjatura me qëllim të realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, që kanë për qëllim ruajtjen e rendit, sigurisë dhe shëndetit publik. Sa i përket pushimeve të punonjësve të PK-së, ato nuk do të humbin por do të shtyhen apo shfrytëzohen në një situatë më të përshtatshme kur të njëjtat do të mund të realizohen/shfrytëzohen si të tilla”, thuhet në përgjigjen e policisë.