S’ka sanksione për opozitën, Krasniqi e Abdixhiku udhëtojnë në SHBA

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Dy liderët e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes  Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, javën e ardhshme do të jenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burimet brenda PDK-së thonë se Krasniqi javën e ardhshme do të jetë në SHBA, pa treguar për ditën kur do të niset.

Po ashtu burime të Gazetës Express brenda LDK’së thonë se Abdixhiku do të niset në SHBA të dielën, ku gjatë javës së ardhshme do të takohet me senatorë e kongresmenë amerikanë

Mediat serbe kanë qenë të parat që kanë raportuar se Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut i është refuzuar viza. Por më pas ajo ka reaguar duke thënë se “në koordinim me zyrtarët e lartë të ambasadës amerikane vizita e dhjetorit për në SHBA është shtyrë.

“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. Ambasadori i SHBA e tha hapur tani se nuk është koha që ministrat të udhëtojnë në SHBA sepse në Kosovë ka krizë.

Ndërkaq është raportuar se as kryetari i Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi nuk do të udhëtojë për në SHBA.

 Fatri Zhitia, zëdhënës i komunës së drejtuar nga Bulliqi, ka publikuar vizën e shefit të tij. Megjithatë e ka pranuar që vizita i është shtyrë.

“Kryetarit Bulliqi i është lëshuar viza amerikane për 5 vjet.  Ndërsa vizita e cila ka qenë e planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme në IOËA të ShBA-së është shtyrë për në fillim vit në dakordim edhe me kryetarët e tjerë të komunave për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit”, ka shkruar ai, të mërkurën.

Ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd e deri te sekretari i SHBA-ve, Antony Blinken i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta shtyjë vendimin për targat.

Kurti ka vepruar ndryshe, vendosi që vendimi për targat të zbatohet gradualisht, duke filluar nga faza e qortimit, gjobitja, targat e përkohshme dhe nga 21 prilli i vitit 2022 edhe konfiskimi i veturave që nuk i mbajnë targat RKS.

Megjithatë kjo nuk i ka mjaftuar perëndimit, kanë kërkuar shtyrje të plotë, jo zbatim gradual.

Pas kësaj SHBA-ja e ka përsëritur se vendimi për targat duhet të shtyhet për 10 muaj.

Opozita e ka kritikuar kryeministrin Kurti që ”është duke i dëmtuar raportet me SHBA-në, ekzekutivi mohon.

Qeveria: Nuk i kemi prishur raportet me ShBA-në

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një konference për media më 8 nëntor, ka thënë se “konsultohet vazhdimisht me ambasadorin amerikan në vend”.

Sipas tij, raportet me SHBA’t po perceptohen si “gjyshi me nipin”.

Të ngjashme