Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve nuk aprovohet nga Komisioni me 5 vota pro dhe 5 kundër, andaj rekomandojnë që projektligji të mos e kalojë në votim, raporton Ekonomia Online.
Albulena Haxhiu tha se nuk pajtohet me këtë që e ka propozuar Ministria e Drejtësisë, por si komision nuk mund ta ndalë, por vetëm mund t’i propozojnë seancës për rekomandim që të mos procedohet.
“Projektligji ka ardhur në Komision për legjislacion dhe vërejtja ime është se është dashtë që të propozohet Zyra për Diciplinë ligjore për gjyqtarë dhe prokurorë dhe jo të bëjmë propozime të tilla si ky që është në draftligj”, tha Haxhiu.
Korab Sejdiu tha se personat joadekuatë kanë udhëhequr deri më tani dhe ky ka qenë një shembull për dështim.
“Çështja e ligjit e ndërron në tërësi çështjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve, sepse ka qenë një dështim i madh, por jo në mungesë të investimeve”, tha Sejdiu.
“Ne duhet të vendosim se a duam ta ndërrojmë çasjen dhe ta adresojë këtë çasje përmes këtij ligji apo duam ta lëmë ashtu siç është ndërtim i keq dhe vetëm të sigurohemi që personat që emërohen aty të jenë personat adekuatë që e marrin punën me përgjegjësi të madhe”, shtoi Sejdiu.
Anëtari i Komisionit, Sami Kurteshi tha se ligji ka gabime gjuhësore dhe teknike, por i plotëson kushtet dhe duhet dërguar në Kuvend dhe duhet t’i kyçim edhe palët e tjera që janë të interesuara se ky ligj është i rëndësishëm.
“Duhet të krijohet një organ që është i pavarur dhe të ketë anëtarë dhe përfaqësues persona të përgatitur profesionalisht që vijnë jashtë fushës së gjyqësorit dhe prokurorit, duhet të jetë një përfaqësues i Avokatit të Popullit apo të Universitetit që kanë integritet profesional dhe intelektual“, tha Kurteshi.
“Të gjitha vërejtjet që janë dhe e rregullojnë këtë çështje duhet të përmirësohen ose të largohen nga projektligji”, tha Demaliaj.