Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka diskutur për propozimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, rreth ndarjes së 3 milionë eurove për blerjen e maskave.
Ky propozim nuk ka marrë pëlqimin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë Komision.
Indeksonline mëson se deputeti Fatmir Rexhepi ka votuar kundër këtij propozimi ndërsa Shkëlzen Hajdini ka abstenuar.
Të vetmit që votuan pro ishin deputetët e GP të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Hekuran Murati dhe Mimoza Kusari-Lila. Kësisoj, ky propozim nuk ka marrë miratimin që të shkojë në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, kryeparlamentarja Osmani ka deklaruar se propozimi i saj për shpërndarjen e maskave falas shumëpërdorimshe mbështetet te kërkesa e madhe e qytetarëve.
Ajo ka deklaruar se nuk duhet të kursehet në blerjen e maskave, por të kursehet në shpenzime të tjera më luksoze.
“Është pikërisht gjendja ekonomike e qytetarëve e cila më ka shtyrë që ta bëjë një amandament të tillë. Në vend se të brengosemi për 3 milionë euro që do të shpenzoheshin për maska për qytetarët ne duhet të brengoseshim për shumë shpenzime luksi që janë propozuar nga institucione të ndryshme”.
“Buxheti që mund të shfrytëzohet për maska të merret nga shpenzimet e institucioneve që dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për blerjen e mobileve të reja, sepse mobiliet mund të presin, përderisa buxheti është paraparë për mobilie, telefona të rinj dhe laptopa e madje për vetura të blinduara më mirë është që ajo shumë të shfrytëzohet që t’ia lehtësojmë barrën ekonomike qytetarëve që kanë nevojë”, ka deklaruar ajo.