Mirëpo, tifozët janë “zëvendësuar” nga dhjetëra zyrtarë sportivë e qeveritarë, të cilët e kanë shfrytëzuar rastin duke shkuar në Rion e shtrenjtë si pjesë e delegacionit të Kosovës.
Përkundër interesimit të mediave, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) qe disa ditë nuk ka dhënë sqarime se sa persona kanë shkuar në Rio përmes listës që vetë e ka përpiluar, e as rreth asaj se kush i kryen shpenzimet e tyre, të cilat sigurisht se kapin vlerë të lartë, kur dihet se Rio është mjaft e shtrenjtë, ndërsa numri i atyre që kanë shkuar në Brazil është i madh.
Është arritur të sigurohet lista me emrat e rreth 50 vetave që kanë shkuar si delegacion i përbashkët në Rio.
Në atë listë figurojnë emrat e tetë garuesve dhe trajnerëve të tyre. Po ashtu, në listë janë emrat e gjithë anëtarëve të KOK-ut, madje edhe të dy sekretarëve.
Në listë figurojnë edhe emrat e anëtarëve të federatave olimpike që nuk kanë marrë pjesë fare në Olimpiadë, e edhe më i çuditshëm është fakti se me ekipin olimpik kanë udhëtuar edhe zyrtarë të federatave sportive joolimpike.
Në Rio ka shkuar Hashim Thaçi dhe djali i tij. Figurojnë edhe emra të zyrtarëve të Qeverisë, si ai i këshilltarit të kryeministrit, Sokol Havolli, ministrit Memli Krasniqi, sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, Veton Firzit, pastaj nga Departamenti i Sportit kanë shkuar thuajse të gjithë, duke filluar nga drejtori Ibër Alaj, Afërdita Fazliu, Fikret Shatri, nga FFK-ja që nuk merr pjesë në Olimpiadë, përpos Fadil Vokrrit ka shkuar edhe Vjollca Krasniqi. Në listë ka edhe shumë emra tjerë, madje disa edhe krejtësisht të panjohur në sportin kosovar.
Aty ka dhjetëra emra që realisht nuk i duhen asgjë ekipit garues në Olimpiadë, e që dy garuesit e notit, Rita Zeqiri e Lum Zhaveli, janë ankuar se e kanë ndjerë mungesën e trajnerit të tyre në garë.
Burimet nga të cilat “Zëri” e ka siguruar listën, i kanë sqaruar gazetës se pjesa dërmuese e emrave në listë kanë shkuar në Rio, ndërsa një numër shumë i vogël nga ata emra nuk kanë udhëtuar në Brazil.
Por, ishte e pamundur të identifikohen ata pak njerëz që janë në listë, e të cilët nuk kanë shkuar në Rio, pasi institucionet, posaçërisht KOK-u, kanë qenë shumë të mbyllura këto ditë për mediat e interesuara rreth kësaj çështjeje.