Skenari për tejkalimin e situatës në veri, sipas analistëve

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Komandantët e Policisë së Kosovës në rajonin e veriut të vendit, që i përkasin komunitetit serb, të shtunën e 5 nëntorit kanë zhveshur uniformat e tyre para zyrtarëve të Listës Serbe në Zveçan. Këtë veprim simbolik ata e kanë bërë pas deklarimit se japin dorëheqje nga detyrat e tyre në Policinë e Kosovës.

Dorëheqje më 5 nëntor dhanë edhe zyrtarë të Listës Serbe si dhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor.

Siç thanë nga Lista Serbe, vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen “derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe…”.

Analisti politik Arbnor Sadiku thotë se për tejkalimin e situatës në veri Kosova duhet ta tërheq vendimin për targat.

“Kosova do duhej shumë shpejt ta tërheq vendimin për targa dhe t`i vazhdojë negociatat me Serbinë për arritjen një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe finale, e cila përbrenda ka edhe zgjidhjen e problemit të targave për qytetarët serbë të Veriut të Kosovës”, theksoi Sadiku për “Front Online”.

Ky nuk sheh gatishmëri të palëve për dialog.

“Si kryeminstri Kurti, po ashtu edhe presidenti Vuçiq, nuk janë të gatshëm për të bërë kompromise të reja, të cilat çojnë tek një marrëveshje gjithëpërfshirse finale. Ata gjejnë justifikime për vazhduar pushtetin e tyre, pa kryer detyrat rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Sadiku.

Politologu Fidan Ukaj vlerëson se Qeveria gaboi kur nuk e shtyu për 10 muaj afatin për targa siç kërkuan Amerika e BE.

Megjithatë, tash kryqeveritari, sipas tij, duhet ta çojë deri në fund zbatimin e vendimit.

“Tashmë ky vendim është në implementim e sipër. Qeveria duhet ti shkojë deri në fund këtij vendimi sepse çdo tërheqje e institucioneve do të krijonte dobësi përballë këtyre strukturave paralele dhe kriminale, që po i nxisin qytetarët serbë të asaj pjese të mos i binden vendimit të Qeverisë së Kosovës për ti konvertuar targat në RKS”, theksoi Ukaj.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Të ngjashme