Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka vizituar sot Skenderaj dhe Drenasin, ku me kryetarët e këtyre dy komunave, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për financimin e disa projekteve infrastrukturore.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari, ministri Lekaj ka deklaruar se edhe Skenderaj, sikurse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, do ta ketë mbështetjen e merituar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria.
“Ndihem mirë që sot jam në Drenicë, pasi që Drenica është simbol i rezistencës, dhe është rreshtuar drejtë në historinë e lavdishme të popullit shqiptar, prandaj është ndjenjë e mirë që sot jemi te kryetari i Skenderajt së bashku me kryetarin e Drenasit, dhe që arritëm një memorandum mirëkuptimi me të dy kryetarët për infrastrukturën, e që ka ndikim pozitiv në zhvillimin e kësaj ane dhe të këtyre dy komunave. Ndihem shumë mirë që ne si Ministri e Infrastrukturës, por edhe si Qeveri e Kosovës, do ta mbështesim këtë rajon me projekte që kanë rëndësi të madhe për qytetarët e kësaj ane. Kjo është një pikënisje dhe do të vazhdojmë prapë, pasi që u dakorduam që do të kemi edhe projekte të tjera në infrastrukturën rrugore”, tha Lekaj.
“Ne morëm përsipër që me rishikimin e buxhetit të realizojmë edhe projekte të tjera rrugore, që kanë kanë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e dy komunave, si dhe lidhjen e fshatrave me këto qytete. Ne si Qeveri e Kosovës jemi të përkushtuar t’u qëndrojmë afër komunave dhe t’i mbështesim fuqishëm në projektet e tyre që janë në të mirë të qytetarëve”.
Ndërkaq, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, duke e falenderuar ministrin Lekaj, ka thënë se kjo mbështetje e institucioneve qendrore ka rëndësi të madhe për Skenderajn dhe qytetarët e saj, të cilët janë edhe përfitues të këtyre projekteve të mbështetura nga Ministria e Infrastrukturës. Jashari ka thënë se marrëveshja e nënshkruar sot, është një nisje e mirë drejtë realizimit të projekteve të Skenderajt.
Së shpejti nis asfaltimi i rrugës me katër korsi Polluzhë-Drenas-Komoran
Ministri Pal Lekaj, po të martën vizitoi Drenasin, ku u prit nga kryetari i saj Ramiz Lladrovci, e me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi, për disa projekte që u tha se janë me rëndësi vitale për qytetarët e Drenasit.
Ministri Lekaj tha se Drenasi dhe Drenica në tërësi, do ta ketë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës, e në veçanti të Ministrisë së Infrastrukturës.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, është njoftuar nga ministri Lekaj se këtë vit do të fillojë asfaltimi i rrugës katër korsi Polluzhë-Drenas-Komoran dhe shumë shpejt do të nisë ddhe vazhdimi i punimeve për asfaltimin e rrugës Drenas-Kroi i Mbretit.
Në kuadër të plotësim-ndryshimit të memorandumit do të vazhdojë asfaltimi i rrugës në Komoran, vazhdimi i asfaltimit të rrugës Drenas-Gradicë dhe vazhdimi i rrugës Llapushnik-Drenas.
“Dëshiroj ta falënderoj edhe njëherë ministrin Pal Lekaj, për kontributin që po e jep në përshpejtimin e proceseve me anë të nënshkrimit të memorandumeve për infrastrukturën në komunën e Drenasit dhe Skenderajt. Siç e dini më herët ne nënshkruam një marrëveshje mirëkuptimi për rrugën me katër korsi që ka filluar dhe që kalon nga Klina e Ultë- Skenderaj dhe vazhdon në Polluzhë-Drenas-Komoran. Ndërsa tani nënshkruam memorandum për rrugët lokale të komunës së Drenasit. Falënderoj ministrin për punën që po e bënë, sepse komuna e Drenasit, ka akoma nevojë për dorën e Qeverisë së Kosovës, që ta kemi një infrastrukturë sa më të mirë për qytetarët tanë”, ka thënë Lladrovci.