Skënderbeu mbetet jashtë kupave të Europës për këtë sezon. Kampionët e Shqipërisë nuk do të mund të zbresin në fushë për ndeshjen e turit të dytë eliminator të Champions League, ndaj hungarezëve të Ferencvaros.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë hodhi poshtë ankesën e korçarëve, kundër dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s dhe të konfirmuar nga Komisioni i Apelit më 1 Qershor, në të cilin Skënderbeu deklarohej i papërshtatshëm për të marrë pjesë në turnetë ndërkombëtare, pas hetimit për trukime.
Me ankesën e paraqitur në CAS-in e Lozanës dhe në seancën dëgjimore të 4 Qershorit, klubi korçar kërkonte heqjen e dënimit, si të pabazuar në fakte konkrete dhe të lejohej të luante në eliminatoret e Champions League për sezonin 2016-2017.
Në lidhje me këtë çështje, Paneli i CAS-it hodhi poshtë ankesën dhe konfirmoi vendimin e UEFA-s, më 1 Qershor 2016″, theksohej në vendimin e publikuar nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Skënderbeu bëhet klubi i parë shqiptar, që penalizohet nga UEFA pas dyshimeve për trukime, ndërsa me përjashtimin e kampionëve të Shqipërisë, Ferencvaros-i kualifikohet në turin e tretë eliminator të Champions pa qenë nevoja të luajë, percjell Supersport.