Kryetari i Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës Rrahman Jashari dhe drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) Susan Flocken, kanë pasur një takim të mërkurën me kryeministrin Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media pas këtij takimi, Jasharaj ka thënë se me gjithë argumentet e Flockenit në mbështetje të grevës, Qeveria nuk ka ndërruar qëndrim.
Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, ka thënë se greva do të vazhdojë, dhe se orët e humbura nuk do të kompensohen.
“Sot zonja ka pasur një takim me kryeministrin Kurti, e kemi shoqëruar edhe ne, dhe i them faleminderit që është me ne dhe u përpoq që ta tejkalojmë këtë situatë”, u shpreh Jasharaj.
“Sot takimi i ishte dedikuar zonjës Flocken, ishte një takim që ne pretenduam që në emër të gjithë kolegëve tanë, qeveria duhet ta ndërrojë kahjen dhe qëndrimin. Me gjithë argumentet dhe mbështetjen e paraqitur nga zonja Flocken, duket se Qeveria nuk ka ndërruar në qëndrimet e veta”, ka thënë Jasharaj.
Sipas tij, vetë fakti që nuk ka asnjë lëvizje as pas këtij angazhimi në emër të 11 milionë anëtarëve të arsimit për tërë Evropën, tregon se greva në arsim vazhdon.
“Nuk kemi asnjë lëvizje fatkeqësisht dhe kemi pritur shumë nga ky takim presinim që Qeveria të lëvizte nga pozicioni i saj”, është shprehur ai.
Ndërkohë, Flock theksoi se nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje për grevat në arsim.
“Unë erdha nga Brukseli veçanërisht për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, duhet të ju them që patëm një shkëmbim të gjatë, por nuk arritëm të gjejmë zgjedhje për këtë”, u shpreh ajo.
Flocken ka thënë se vazhdojnë ta mbështesin SBASHK-un dhe anëtarët e saj, duke shprehur keqardhjen e saj për moszgjidhjen e situatës.
“Ne vazhdojmë ta mbështesim SBASHK-un dhe anëtarët e saj në vendimet e tyre dhe këtë do ta marrë me vete nga Kosova prapa në Bruksel dhe në anëtarësinë tonë. Ishte e rëndësishme që të jem këtu që t’ua japë mbështetjen e mësuesve dhe se nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë zgjidhje për këtë çështje”, ka thënë Flocken.
Jasharaj tha se në takimin e përbashkët, u diskutua në anglishtë, një gjuhë që ai nuk e ka kuptuar.
“Menduam se më në fund, në emër të Evropës, qeveria do të ndërrojë kahje, do të ndërroj qëndrimin. Thënë të drejtën, u fol në gjuhë angleze në takim dhe shumë gjëra s’munda t’i kuptojë, por në fund u pa që s’ka ndryshuar asgjë. Qeveria nuk ndryshoi qëndrimet e veta”, deklaroi Jasharaj në një konferencë për media.
Jasharaj ka thënë se i rri prapa zotimit të tij që të mos mbajë një takim tjetër me Kurtin pa praninë e mediave. Mirëpo, takimi i sotshëm tha se ishte ndryshe, ku BSPK ishte e ftuar nga Flocken.
“Asnjë takim nuk do të mbahet pa media, por ky nuk ishte një takim i BSPK-së. Ky ishte një kryekëput i sponsorizuar nga Brukseli dhe Flocken dhe përkundër përpjekjeve maksimale, qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimin e vet. Fatkeqësisht nuk ka lëvizje, kemi pritur shumë nga ky takim. Kemi shpresuar që së paku me zonjën Flocken, qeveria do të lëvizte nga pozicioni i ngurtësuar”, deklaroi tutje ai.
Kryesindikalisti Jasharaj tha se nuk do të zëvendësohen orët e humbura të mësimit nga grevat, duke u mbështetur te kontrata koletive, e nënshkruar nga Ministria e Arsimit.
Ndërsa, sa i përket një proteste të paralajmëruar nga prindërit, Jasharaj tha se protesta duhet t’i dedikohet qeverisë dhe jo sindikatave.
“Sipas kontratës koletive, të nënshkruar nga MASHTI, thuhet se orët e humbura nga greva nuk zëvendësohen. Precizohet që gjatë grevës nuk zëvendësohen. Uroj që prindërit e Kosovës, që protestën ta bëjnë dhe t’ia dedikojnë qeverisë sepse edhe prindërit e kanë kuptuar që ne jemi angazhuar për dialog. Është angazhuar edhe Avokati i Popullit, edhe zonja Flocken”, tha ai.
“Fajtore e vetme për këtë situatë është Qeveria Kurti, duke u barrikaduar dhe duke mos lëvizur asnjë centimetër përballë kërkesave të SBASHK-ut dhe BSPK-së”, tha në fund Jasharaj.