Pesë prej tetë skuadrave të Superligës kanë angazhuar lojtarë të tjerë të huaj në prag të stinorit pranveror në kampionatin e Kosovës në basketboll. Sipas FBK-së, për regjistrim është paraqitur vetëm amerikani i Bashkimit, Lamar Wofford Humphrey, por edhe Z Mobile Prishtina, Golden Eagle Ylli, Trepça e Ponte Prizreni kanë angazhuar lojtarë amerikanë në ditët e fundit.
Për dallim nga edicionet e kaluara, të paktën te Bashkimi nuk do të ketë “rokada” të lojtarëve të huaj. Prizrenasit për vite të tëra në pjesën e dytë të kampionatit kanë pasur të huaj të tjerë për dallim nga pjesa e parë e kampionatit. Kështu thotë kapiteni Qëndrim Biraj. Këtë herë të huajt që ishin në vjeshtë kanë mbetur, ndërsa atyre u është shtuar qendra Wofford Humphrey.
Bashkimi është kampion në fuqi, por këtë edicion rezultatet i ka larg prej edicionit të kaluar. Po paraqitet edhe në Ligën Ballkanike, por pa ndonjë sukses. Bashkimi së fundi ka angazhuar edhe të riun Yll Gashi, ndërsa forca e kësaj skuadre do të testohet menjëherë më 9 janar kur në Durrës luhet ndeshja mes skuadrës Barsy Atyrau dhe Bashkimit. Kjo ndeshje i takon Ligës Ballkanike, ndërsa Barsy është skuadër nga Kazakistani.