Organizata studentore “Studim Kritikë Veprim”, zhvilloi një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Studentë të kësaj organizatë vendosen një bredh me “dështimet” të cilat sipas tyre e përcollën gjatë vitit këtë ministri.
Bardh Ahmeti nga SKV tha se viti 2016 për sistemin e arsimit të lartë dhe të ulët ka qenë vit zgjedhor, duke i favorizuar njerëzit e pushtetit.
Ai kritikoi partitë në pushtet të cilat sipas tij zgjodhën për rektor njeriun e tyre.
“Si kurora brenda pozitave të Universitetit të Prishtinës, rektor i ri u zgjedh Marjan Dema, fytyra e vërtetë e puthadorëve të pushtetit. Përkundër faktit që dikur e kishte gojën plotë me fjalë e departizim të Universitetit të Prishtinës, ai e cilësoi si nderë dhe privilegj ligjërimin nga kryeministri, ministra e zëvendësministrat. Ai ua ktheu favorin atyre për pagesë të plotë pavarësisht faktit që këta të fundit fare pak e ushtrojnë detyrën si profesor universitarë”, tha Ahmeti.
Kurse studentja tjetër e kësaj organizate Albulena Bytyqi, foli më shumë për arrestimet e aktivistëve të VV-së dhe vdekjen e Astrit Deharit, duke fajësuar pushtetin për krejt cka po ndodhë në sistemin arsimor në vend.
“Pushteti aktual arrestoi aktivistë politikë me pretekstin për terrorizëm, ku 68 ditë pas arrestimit vdiq në rrethana ende të dyshimta aktivisti politik dhe njëherësh student i Universitetit të Prishtinës, Astrit Dehari. Kemi çështjen e akademikëve dhe po të njëjtit funksionarë në pushtet pa dhënë asnjë përgjegjësi për vdekjen e Astritit në këtë shtet pushtet”.
Me këtë rast në shenjë simbolike ata ndezën bredhin e improvizuar para Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në krye të së cilit vendosen fotografinë mbrapsht të ministrit Arsim Bajrami, të pasuar me mbishkrimin “PISA”.