Përkundër që është vendosur që tifozët të mos lejohen në stadiume si masë parandaluese për përhapjen e virusit Covid-19, tifozët në Kosovë po vazhdojnë t’i përkrahin ekipet e zemrës duke u grumbulluar në ndërtesat përreth stadiumit.
Pas gati tre muajve pauze, klubet kosovare u kthyen në fushën e lojës këtë javë për të zhvilluar ndeshje zyrtare, të cilat është vendosur që të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, si masë e ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Megjithatë, si në ndeshjet e Prishtinës dhe Ballkanit në mesjavë, edhe “Intelektualët” e Dritës e gjetën një mënyrë për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës – duke u grumbulluar në ndërtesat përreth stadiumit, prej nga ku dëgjoheshin në fushë duke motivuar skuadrën e tyre.
E këta tifozë të Dritës patën sot arsye për të festuar, pasi që skuadra e tyre arriti ta marrë kreun e tabelës së Ipko Superligës së Kosovës. Këtë qëllim gjilanasit e realizuan sot, pasi që arritën të marrin fitore me rezultat 1:0 kundër Flamurtarit.
Drita tani i ka dy pikë para Ballkanit, që megjithatë mund ta rimarrë kreun e tabelës të dielën, kur do ta zhvillojë ndeshjen e kësaj xhiroje kundër Drenicës, në Suharekë.
Fitoren dhe tre pikët e kësaj ndeshjeje Drita i mori falë golit të shënuar nga Astrit Fazliu në minutën e 26-të të ndeshjes, i cili përfitoi nga asisti i Xhevdet Shabani.
Përkundër që ky ishte goli i vetëm gjatë 90 minutave lojë, Drita pati edhe disa raste të mira, përderisa Flamurtari u shfaq paksa më ofensiv gjatë pjesë së dytë të ndeshjes, por pa pasur ndonjë rast të artë për t’i dëmtuar nikoqirët.