Kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, pas numërimit të votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, thotë se kanë arritur një rezultat historik.
Me mbi 10 mijë vota të marra në raundin e parë të zgjedhjeve, Latifi u shpreh se këtë rezultat nuk e ka arritur askush në Rahovec.
Megjithatë, këto vota nuk ia shmangin balotazhin. Më 14 nëntor do të përballet me Visar Korenicën e VV-së.
“Tashmë janë numëruar edhe votat me kusht si dhe ato të personave me nevoja të veçanta, ku edhe në këtë numërim prijmë bindshëm. Në këtë proces zgjedhor kemi arritur një rezultat historik, me mbi 10,000 vota në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune, rezultat ky që nuk është arritur asnjëherë më parë në Rahovec.
Ju faleminderit përzemërsisht të gjithëve për këtë përkrahje të jashtëzakonshme, e cila zotohem se do t’ju kthehet me angazhim e përkushtim, poashtu të jashtëzakonshëm, në mandatin që vjen!“, ka shkruar Latifi.