Smakaj: Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve të AKI-së, i rrezikshëm për sigurinë kombëtare

Prishtinë | 06 Jan 2021 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Sipas ish Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës po e dëmton këtë institucion dhe po e rrezikon sigurinë kombëtare.

Ai në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë se është vështirë që AKI të funksionojë vetëm me ushtrues detyre siç është duke ndodhur tani.

“Unë kam shërbyer prej ditës së parë të themelimit të agjencisë për gjashtë vite të themelimit të këtij institucioni dhe e di peshën dhe rëndësinë e ndryshimeve të shpeshta që sjellin te ky institucion”, është shprehur Smakaj.

“Këto ndryshime kaq të shpeshta janë shumë shqetësuese, sidomos në këto 5 vitet e fundit, me sa e kam përcjell, i kemi diku 5 drejtorë të ndryshëm që janë ndryshuar në vetëm 5 vite dhe kjo bartë pasoja të jashtëzakonshme tek institucioni, por bartë pasoja shumë të rënda edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës. Institucioni më vital i sigurisë kombëtare sot është pa drejtues me një ushtrues detyre, siç e kemi bërë praktikë pothuajse të gjitha institucionet e vendit momentalisht ndodhen vetëm me ushtrues detyre”, është shprehur Smakaj.

Duke komentuar shkarkimin e ish shefit të AKI-së, Kreshnik Gashi, dhe raportimet e mediave se është tentuar të hapet kasaforta e AKI-së në mënyrë të kundërligjshme, Smakaj tha se mënyra se si janë trajtuar këto tema dhe si i janë paraqitur publikut ishte jo vetëm e gabuar por edhe e rrezikshme për sigurinë e vendit.

“Te menaxhimi i informacionit të sigurisë kombëtare, me e pakta që do duhej të bëhet është mënyra si është trajtuar, është mënyra se si individë ose zyrtarë të të dyja pozicioneve e kanë lansuar, siguria kombëtare nuk trajtohet në këto forma, siguria kombëtare është shumë delikate dhe duhet të trajtohet në forma komplet tjera, jo të hidhet barra nga një institucion në tjetrin”.

“Mund të flas se si ekzistojnë praktikat, se si menaxhohen proceset e tranzicionit, tranzicionet ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara, pra bartja e një informacioni nga një titullar i një institucioni tek titullari tjetër, por ka mekanizma dhe procese se si bëhet kjo, nuk bëhet përmes mediave, nuk bëhet me një qasje të tillë e cila e dëmton edhe institucionin që po e menaxhon informacionin e klasifikuar, por edhe prodhuesin e informacionit në këtë rast siç është AKI, pra mënyra se si i janë qasur problemit është e dëmshme për sigurinë e vendit”.

Smakaj ka thënë se bartja e informacionit të AKI-së nga një president tek presidenti tjetër është procedurë e rregullt dhe kjo duhet të bëhet në prezencë të një zyrtari të AKI-së.

“Është praktikë, është procedurë me atë sistem që e kam ndërtuar në AKI, sigurisht që nuk kam bërë ndonjë zbulim por i kam marrë praktikat më të mira të shërbimeve më të fuqishme ndërkombëtare, është që në momentin që ndryshon titullari i institucionit, institucioni i cili e prodhon informacionin duhet ta bëjë një hetim dhe një regjistër të informacionit të plotë që ndodhë në momentin e ndërrimit, ne e kemi pasur një situatë të jashtëzakonshme sepse transferi dhe bartja nuk ka mundur të ndodhë mes presidentit dhe u.d të presidentit, transferi që ndodhë zakonisht nuk ka mundur të ndodhë”.

“Zakonisht presidenti që e mbaron detyrën, në prezencë të prodhuesit të informacionet i bartë informatat te pasuesi i tij, kjo bëhet në prezencë të një zyrtari të AKI-së. Ekzistojnë persona të veçantë që kanë qasje në informacion të klasifikuar, jo çdokush mund të ketë qasje në këtë informacion”.

“Personat janë tepër sekret vetëm tri pozita të shtetit, kryetari i kuvendit, kryeministri dhe presidenti kanë qasje në informacion pa verifikim të sigurisë, të gjitha institucionet tjera paraprakisht duhet të kenë qasje në këto informacione, nuk mundet kushdo qoftë të krijojë qasje në këto informacione të klasifikuara qofshin edhe ato ku ai është zyrtar, nëse e ka prodhuar dikush tjetër”.

Sipas Smakajt, tentimi i hapjes së kasafortës së presidencës nuk është bërë për të marrë dokumente por që të bëhet evidentimi i dokumenteve dhe regjistrimi i informacionit që bartet tek presidentja në detyrë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme