Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë të publikuar dje në gazetën kroate “Vecernji list”, ka thënë se kryetarëve në komunat veriore u merret mandati vetëm me zgjedhje dhe se ai nuk e detyron askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë pronë e Republikës. Në këtë mënyrë Kurti ka lënë të kuptohet se largimi i kryetarëve nga objektet komunale nuk është e as nuk do të jetë objekt diskutimesh negociatash. Por, a është mospërmbushja e kësaj kërkese arsyeja që BE s’po ia heq sanksionet Kosovës.
Kurti sërish ka folur për kryetarët e katër komunave veriore që fituan në zgjedhjet e 23 prillit. Ai dje në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list” ka përsëritur deklaratën që nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Si mënyrë për shpalljen e zgjedhjeve të reja, Kurti e ka përmendur peticionin.
“Nga ana tjetër kam thënë se nuk mund të detyroj askënd të japë dorëheqje apo të largohet nga ndërtesat zyrtare që janë në fakt pronë e Republikës sonë, por ejani të bëjmë zgjedhje të parakohshme. Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale thotë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nëse 20% e elektoratit bëjnë peticion dhe më pas mbahet votimi. Nëse më shumë se 50% e votuesve votojnë kundër atij kryetari, praktikisht i merret mandati. Duhet të ecim ligjërisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme”, është shprehur ai.
Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, ka thënë se serbët e dorëhequr nga të gjitha institucionet, përfshirë komunat, kanë dashur që sistemi i Republikës së Kosovës të shembej nga vakuumi që krijuan ata, “gjë që nuk ndodhi”.
“Kur më 5 nëntor të vitit të kaluar katër kryetarë komunash në veri të Kosovës dhanë dorëheqje kolektive, së bashku me dhjetë deputetë në Kuvendin tonë dhe 547 policë në veri, ata në fakt donin që sistemi i Republikës sonë të shembej nga vakuumi që e krijuan. Por megjithatë kjo nuk ndodhi. Për shkak të këtij dështimi, ata u bënë edhe më agresivë. Sipas kushtetutës sonë ne duhej të kishim zgjedhje të jashtëzakonshme dhe ato ishin caktuar për 18 dhjetor. Por, para kësaj të gjithë jemi konsultuar me presidenten tonë Vjosa Osmani, të gjithë kryetarët e partive dhe zgjedhjet i kemi shtyrë për katër muaj, për fund të prillit”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka përmendur refuzimin e Listës Serbe për të mos aplikuar për pjesëmarrje, ndonëse shton se ambasadorët e QUINT-it i thanë që nëse e pranojnë Aneksin e Ohrit dhe nëse shtyhet afati për regjistrim të partive politike për pesë ditë, ata do ta bindin Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.
Kurti ka thënë se përveç që i bojkotuan zgjedhjet, Lista Serbe ka bërë ftesë për bojkot derisa Beogradi ka bullizuar serbët “që do të donin të votonin ose kandidonin”. Si shembull për këtë, Kurti ka përmendur tërheqjen e Aleksandar Jabllanoviq nga gara.
“Për më tepër, përveç që bojkotuan zgjedhjet, ata po ashtu ftuan edhe të tjerët t’i bojkotojnë dhe Beogradi bëri një “bullizëm” të paprecedentë ndaj serbëve që do të donin të votonin ose të kandidonin. Në këtë mënyrë, për shembull, Aleksandar Jabllanoviq u tërhoq nga fushata dy ditë para zgjedhjeve, të cilat u mbajtën më 23 prill. Pra, ne i shtymë zgjedhjet për katër muaj, e shtymë datën e regjistrimit të partive, e pranuam edhe aneksin e Ohrit të Marrëveshjes së Brukselit, por kjo megjithatë nuk e ndryshoi situatën”, u shpreh Kurti.
Kurti e ka pranuar sërish që dalja e qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit ka qenë e ulët, mirëpo ka shtuar se në zyrë të kryetarit dikush mund të futet “vetëm përmes zgjedhjeve, e jo me dhunë”.
“Ne na është dashur t’i mbajmë zgjedhjet. Kjo nuk ishte zgjedhje e jonë, por dispozitë e kushtetutës sonë, kërkesë e ligjit tonë. Me këtë përfunduam me katër kryetarë shqiptarë të komunave, të cilët vërtetë kanë një legjitimitet të brishtë sepse përqindja e daljes në zgjedhje ishte shumë e ulët, por megjithatë ata kanë disa përqindje në zgjedhje, ndërsa të tjerët kanë zero. Në zyrën e kryetarit të komunës mund të futesh vetëm përmes zgjedhjeve, jo me sjellje të dhunshme, jo me dhunë ndaj NATO-s, policisë dhe gazetarëve tanë, jo me shok bomba dhe plumba. Jam i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përkohshme. Për më tepër kam bërë një lëshim shtesë duke reduktuar me 25% praninë e policisë sonë brenda dhe përreth ndërtesave. Dhe krahas kësaj, ne do të mbajmë konsultime të rregullta çdo dy javë me KFOR-in dhe EULEX-in për të vlerësuar situatën e përgjithshme të sigurisë dhe për të zvogëluar praninë e policisë sonë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, një marrëveshje u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt më 10 korrik në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ata do të mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas stinës së verës.
“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës”, tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Kujtojmë se në objekte alternative, aktualisht janë duke punuar kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, që vijnë nga radhët e PDK-së. Mirëpo, në anën tjetër, dy kryetarët nga VV, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq, janë duke vazhduar punën e tyre në objektet e komunave. Madje Hetemi që nga 29 maji, është i ngujuar brenda objektit të komunës së Leposaviqit.