Kompania për prodhimin e këpucëve “Solid” nga Suhareka me punë dhe kualitet ka arritur të thyejë barrierat dhe të eksportojë edhe në vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, si në Spanjë, Qipro, Rumani, madje edhe në Serbi.
Pronari i kompanisë “Solid”, Ahmet Kuçi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Ekonomia Online”, thotë se prodhuesit vendës nuk kanë përkrahje nga institucionet vendore, përkundrazi shpesh disfavorizohen kur marrin pjesë në tenderë.
Fabrikën e cila ka qenë e djegur gjatë periudhës së luftës, Kuçi thotë se e kishin rregulluar me forcat e tyre. Vetëm nga USAID-i kanë marrë një ndihmë, kurse nga shteti asnjëherë. Tani kanë më shumë se 350 punëtorë.
“Kosova duhet të mburret që një fabrikë ka filluar me forca të veta dhe tash i ka 350 të punësuar dhe aty merret paga mujore siç duhet, nuk kemi asnjë vonesë, këtë duhet ta çmojë shteti jonë”, shprehet ai.
Por, edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës, mungesa e energjisë elektrike vazhdon të jetë problem për “Solidin”, sikurse dhe për shumë prodhues vendës. Kuçi thotë se ndonëse kanë kontratë me kompaninë furnizuese – KEDS, që mes tjerash t’i paralajmërojë për ndërprerjen e rrymës, kontrata e tillë nuk respektohet dhe rryma ndërpritet “sipas dëshirës”.
Gjithashtu, ankohet se rryma është e shtrenjtë. “Kompania jonë paguan 5 mijë deri në 6 mijë euro në muaj. Tarifat janë shumë të larta”.
Pronari i kompanisë nga Suhareka ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që mos t’i pengojë bizneset vendëse në tenderë dhe të ndryshojë ligje në mënyrë që të favorizohen bizneset vendëse.
“Shteti, të paktën nuk duhet të na pengojë. Ka raste kur kemi tenderë në disa institucione dhe dalim më të lirë, por neve na mohohet. Aty e shoh pengesën më të madhe. Shteti duhet të na përkrahë me poena sikur shtetet e tjera. Po të shkoja unë në Serbi dhe të merrja pjesë në një tender, automatikisht 24 % duhet të jem më i lirë që të jem i barabartë me prodhuesin serb”.
Kuçi ka folur edhe për politikat fiskale, eksportin e çështje të tjera me të cilat ballafaqohen prodhuesit.
INTERVISTA E PLOTË
EO: A mund të na thoni si ka qenë viti 2016 për biznesin tuaj?
Kuçi: Kompania jonë “Solid” tregon me numrin e punëtorëve se ne kemi rritje çdo ditë. Numri i punëtorëve sillet rreth 350, por ne zakonisht kemi edhe një pjesë të praktikantëve, i trajnojmë ata dhe kur të përfundon trajnimi u bëjmë kontratë punësimi.
EO: A ka pasur ndikim pakoja e re fiskale në biznesin tuaj?
Kuçi: Po, ajo ka qenë e mirëseardhur… Në disa raste është pozitive, por tek ne ka edhe anë negative, por kryesisht është e mirë… Me këtë pako, faktikisht është rritur TVSh-ja; në vend që për lëndë të parë të ketë zbritje, tek ne ende për lëndë të parë paguajmë doganë, aty është ana negative. Kurse ana pozitive është se TVSh-ja paguhet në kohën kur ne e faturojmë. Ajo është e mirë.
EO: Na flisni pak për eksportin, si po i pret prodhimet e “Solidit” Serbia?
Kuçi: Ne kemi vendet në BE, që eksportojmë dhe është viti katërt e kemi Gjermaninë, Italinë, Francën, Zvicrën Greqinë, kurse ka edhe disa vende që ende nuk na kanë pranuar si shtet, por këpuca jonë ka depërtuar, si në Spanjë, Qipro, Rumani, por edhe në Serbi që kemi pasur problem, dhe kjo tregon kualitetin e këpucës tonë…
EO: E përmendet Serbinë, kohëve të fundit është raportuar se kompania “Solid” po prodhon këpucë për ushtrinë serbe, sa është e vërtetë kjo?
Kuçi: Ka vite që punojmë me Serbinë dhe meqë ajo po merr mall tek ne, unë e shoh një kualitet një përparim të fabrikës tonë “Solid”. Nuk do të thotë që nuk mundemi me prodhuar për ushtrinë, se ne jemi të gatshëm të prodhojmë për policinë, sepse ne fabrikisht kemi prodhuar edhe për policinë tonë, kurse në Maqedoni kemi prodhuar për Sigurimin e shtetit. Kurse në Serbi ne nuk kemi një kontratë të tillë që prodhojmë për ta. Është marrë mostra, kurse ai personi tek ne merr vetëm këpucë civile.
EO: Me çfarë problemesh ballafaqoheni më së shumti si biznes?
Kuçi: Kemi problem me rrymën, sepse rryma na ndalet sipas dëshirës. Ne e kemi bërë një farë kontrate që kur ta ndalin rrymën të na njoftojnë, por ajo nuk po respektohet. E dyta, kemi çmime shumë të larta të rrymës, që kompania jonë paguan 5 mijë deri në 6 mijë euro aty janë tarifat shumë të larta. Shteti jonë nuk sjell një vendim të tillë qysh e ka Maqedonia e Serbia, që institucionet e vendit të furnizohen me këpucë, apo çizme nga prodhuesit vendës. Unë nuk e nënçmoj tregtarin, por nëse tregtari arrin ta ketë çmimin njëjtë si unë, duhet të kem përparësi, a nëse unë jam më i lirë me çmim aty nuk duhet të diskutohet.
Shteti, të paktën nuk duhet të na pengojë. Ka raste kur kemi tenderë në disa institucione dhe dalim më të lirë, por neve na mohohet. Aty e shoh pengesën më të madhe. Shteti duhet të na përkrahë me poena sikur shtetet e tjera. Po të shkoja unë në Serbi dhe të merrja pjesë në një tender, automatikisht 24 % duhet të jem më i lirë që të jem i barabartë me prodhuesin serb. Kurse tek ne nuk është, por të paktën po kërkojmë të mos na pengojnë në asnjë tender.
EO: A keni përfituar subvencione prej shtetit?
Kuçi: Fabrika jonë ka qenë e djegur gjatë periudhës së luftës dhe ne e kemi rregulluar me forcat tona. Prej asaj kohe ne nuk kemi kurrfarë ndihmese nga shteti jonë. Vetëm USAID-i na ka dhënë një ndihmesë, dhe kjo është shembull. Kosova duhet të mburret që një fabrikë ka filluar me forca të veta dhe tash i ka 350 të punësuar dhe aty merret paga mujore siç duhet, nuk kemi asnjë vonesë, këtë duhet ta çmojë shteti jonë.