Trajneri Ole Gunnar Solskjaer pretendon se Manchester Unitedi bëri hapa të mëdhenj përpara në ndeshjen e fundit të Premierligës, kundër Liverpoolit, përkundër që pësoi disfatë me rezultat 2:0 nga lideri i ligës.
Djajtë e Kuq shkuan në Anfield të dielën të vetëdijshëm se po përballeshin me liderin e Premierligës, që i kishte 27 pikë më shumë sesa ata të grumbulluara gjatë këtij sezoni, transmeton Gazeta Express.
Liverpooli i ka humbur vetëm dy pikë – në ndeshjen e parë kundër Manchester Unitedit, që përfundoi baras – gjatë këtij sezoni të Premierligës dhe ka arritur ta mbajë kreun e ligës me epërsi prej 16 pikëve.
Djemtë e Jurgen Kloppit e morën fitoren e 21-të, nga gjithsej 22 xhirot e Premierligës, të dielën kundër Manchester Unitedit. Megjithatë, skuadra e Solskjaerit e rrezikoi disa herë portën e Alissonit, pa arritur t’i shfrytëzojë ato mundësi.
“Për mua, ne humbëm kundër Liverpoolit, një skuadre që ju të gjithë thoni se është fantastike dhe ne ishim në lojë deri në goditjen e fundit të topit. Për mua, ky është një hap i madh përpara”, ka thënë Solskjaer.
“Natyrisht ne jemi të zhgënjyer që e humbëm atë ndeshje. Nuk duam të jemi prapa atyre në ligë, por kemi shenja se jemi në rrugën e duhur, për këtë s’e kam asnjë dyshim”.
“Tani nuk është koha të flasim për përforcime. Ne po shikojmë përpara në ndeshjen e radhës kundër Burnleyt. Po shikojmë si ta përmirësojmë skuadrën dhe ta përmirësojmë klubin dhe tani s’është koha të flasim për pronarët dhe drejtuesit”.