Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka zbuluar se Paul Pogba do të kthehet në stërvitjet me pjesën tjetër të skuadrës gjatë javës së ardhshme, pasi që është shëruar plotësisht nga lëndimi i tij në kyçin e këmbës.
Mesfushori francez Paul Pogba nuk ka luajtur për Djajtë e Kuq që kur u inkuadrua në lojë nga stoli gjatë fitores me rezultat 4:1 në Old Trafford kundër Newcastle më 26 dhjetor. Ai madje u bë operacion për shkak të këtij lëndimi në kyçin e këmbës në janar, transmeton Gazeta Express.
Fituesi i Kupës së Botës ka luajtur vetëm në tetë ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, për herë të fundit si titullar kundër Arsenalit në ndeshjen e zhvilluar në shtator.
Përkundër që s’ka qenë në fushën e lojës gjatë kësaj kohe, 26-vjeçari ka qenë në qendër të vëmendjes prapëseprapë shkaku i spekulimeve të shumta për të ardhmen e tij, tani që i kanë mbetur edhe 18 muaj në kontratën në Old Trafford.
Mediat britanike madje kishin sugjeruar se Pogba veçse e ka luajtur ndeshjen e tij të fundit në karrierën me Manchester Unitedin, por Solskjaer pret që ai të kthehet në fushë në kohë për pjesën e fundit të sezonit.
“Pauli është ende duke punuar me fizioterapeutët e tij. Ai nuk do të stërvitet bashkë me pjesën tjetër të ekipit të parë deri javën e ardhshme, kështu që le ta shohim se sa do të na zgjasë”, ka thënë norvegjezi.
“Por, atij do t’i duhet pak kohë për t’u kthyer… le të themi për ta rifituar formën dhe fuqinë fizike”.
Solskjaer gjithashtu e konfirmoi se Manchester Unitedi ka gjasa të mbetet pa Daniel James dhe Aaron Wan-Bissakan për ndeshjen e së enjtes kundër Derby Conty në Pride Park, në kuadër të rundit të pestë të FA Cup.