Zyrtarët ndërkombëtarë vazhdojnë ta bëjnë të qartë se pa ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, Kosova nuk do të bëhet pjesë e shteteve që gëzojnë lëvizjen e lirë.
Igor Soltes, raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën, duke folur për Express, thotë se tashmë ‘topi’ është në duart e shtetit kosovar.
Ai kërkon që të lihen anash dallime politike dhe të vendosin në favor të gjithë kombit, duke iu afruar edhe më afër mundësisë për të udhëtuar pa viza. Thotë se Komisioni Evropian ishte i qartë kur i vendosi kushtet për Kosovën.
“Komisioni Evropian i ka vendosur qartë kërkesat për liberalizimin e vizave, njëra prej të cilave ende nuk është përmbushur nga Kosova është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Praktikisht tani topi është në anën e Kosovës. Unë shpresoj se Kosova mund të veçojë dallimet e saj të brendshme politike dhe të vendosë në favor të të gjithë kombit duke zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit dhe të jetë një hap i madh më afër liberalizimit të vizave”, është shprehur Soltes për Express.
Megjithëkëtë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, deklaroi ditë më parë se nuk shpreson që deputetët do ta votojnë Demarkacionin, kur ai të nxirret në Kuvend. Për Haradinjan, zgjidhja do të jetë, Arbitrazhi ose rinegociimi me Malin e Zi.
Duke e komentuar gjithë këtë situatë dhe mundësinë që Kuvendi të mos e votojë shënjimin e kufirit me shtetin malazez, Soltes mbetet me shpresë që të vazhdohet tutje më përmbushjen e atyre kushteve që tashmë janë vendosur, sepse siç u shpreh ai, kjo nuk është vetëm një dëshirë e Kosovës por edhe e vetë Bashkimit Evropian.
“Shpresoj dhe dëshiroj që Kosova të përmbushë sa më parë kërkesat për liberalizimin e vizave pasi liberalizimi i vizave është një dëshirë jo vetëm nga populli i Kosovës, por edhe nga BE. Siç është thënë tashmë, masa është në Kosovë tani dhe shpresoj sinqerisht që një zgjidhje do të gjendet së shpejti në mënyrë që të vazhdohet me këtë proces”, ka shtuar ai, derisa ka sqaruar se shumë shpejtë do të vizitojë Kosovën.
Demarkacioni me Malin e Zi është njëra nga çështjet më të zëshme, veçanërisht dy vitet e fundit.