Komisioni Evropian, pas takimit të kolegjit të Komisarëve, të mërkurën pritet të dalë me njoftimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për liberalizim vizash, shkruan sot Koha Ditore.
Një veprim i tillë i Komisionit Evropian ishte pritur shumë më herët, sidomos pasi Kuvendi i Kosovës kishte ratifikuar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e që ishte paraqitur si kusht shtesë në këtë proces.
Por më pas doli që ai nuk ka qenë kushti i fundit, sepse BE-ja insistonte edhe në një raportim se Kosova ka përmbushur kushtin tjetër, atë të dëshmive konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.