Sot para Kuvendit të Shqipërisë betohen 7 deputetë, opozita e re arrin në 15

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Sot Kuvendi i Shqipërisë mban sot seancë plenare, ku ndër të tjera pritet të betohen edhe 7 deputetë nga radhët e kandidatëve në listat e PD-së dhe LSI-së, që pranuan mandatin e deputetit, pas aktit të djegies së tyre.

“Sa herë të ketë seancë plenare, do të jemi para Parlamentit për të protestuar”. Kështu pati deklaruar opozita e bashkuar jo parlamentare, por këtë të mërkurë që Kuvendi i Shqipërisë mban seancë plenare, opozita nuk do të jetë në protestë. Lideri demokrat Lulzim Basha ndodhet në Peshkopi.

Zyra e shtypit pranë PD-së, ka njoftuar se kryedemokrati Basha në orën 10:00 do të zhvillojë një ecje në qytetin e Peshkopisë, ku do të realizojë bashkëbisedime me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit të vogël. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt. Opozita do të protestojë më 16 mars para Kryeministrisë në një tubim kombëtar siç e kanë quajtur, për të kërkuar rrëzimin e kreut të qeverisë Edi Rama.

Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së kanë ngjitur pranë Kuvendit disa letra me parulla ironizuese për seancën e Kuvendit. Ky është i vetmi veprim ‘protestues’ i PD-së kundër betimit të deputetëve të rinj nga listat e partive në zgjedhjet e 2017-ës.

Përmes këtyre broshurave, të rinjtë e PD ironizojnë kandidatët që pranuan mandatin e deputetit.. Emrat e tyre i kanë deformuar – thotë PD-ja “për t’i zhburrëruar burrat dhe ironizuar gratë”.

Ligoraq Karamelo është quajtur Langaraq, Majlinda Halilaj quhet Rilindja, Lefter Maliqi thërritet si grua, Lefterì. Të tre lidhen me Edi Ramën dhe shpërblimet përkatëse për ceremoninë parlamentare, që PD e quan “dasmë”.

Rikujtojmë se opozita e re tani do të ketë 15 deputetë.

Në Kuvend do të betohen Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni, Elda Hoti.

Në pritje është kandidati i LSI-së, Ralf Gjoni, i cili ditën e djeshme dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe në mbledhjen e radhës KQZ do t’i japë zyrtarisht mandatin, për të kaluar me betimin në Kuvend në seancën e radhës plenare.

Ndërkohë, tre deputetë nga opozita nuk firmosën djegien e madateve, Lefter Koka i LSI, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari nga PD.

Janë betuar deri më tani kandidatët në listat vijuese që pranuan mandatin, Ylli Shehu, Aurora Mara, Enver Roshi, Edmond Rrushi, të katërt nga LSI.

Deri tani në parlament janë 15 deputetë nga PD-LSI (përfshirë Ralf Gjonin)

Tre nuk dogjën mandatet që në fillim:

Lefter Koka

Myslim Murrizi

Rudina Hajdari

Katër u betuan në seancën e shkuar:

Ylli Shehu

Aurora Mara

Enver Roshi

Edmond Rrushi

Shtatë betohen sot në Kuvend:

Lefter Maliqi

Alban Zeneli

Ligoraq Karamelo

Majlinda Halilaj

Ediola Braha

Edlira Hyseni

Elda Hoti

Konfirmon mandatin në pritje:

Ralf Gjoni

Me betimet sot, parlamenti arrin me 93 (shtuar edhe Ralf Gjonin kur të bëjë betimin, 94).

Edhe pse nuk kanë lajmëruar për mbajtjen e një proteste ditën e sotme, Policia e Shtetit ka marrë masat rreth Kuvendit. Janë vënë gardhe rrethues nga pjesa e Parlamentit që lidhet me selinë e Partisë Demokratike, dhe njëjtë si tubimin e shkuar, është rrethuar pedonalja që të çon tek Kuvendi për të mundësuar prej aty kalimin e deputetëve. Opozita e bashkuar shqiptare do të mbajë protestë më 16 mars para Kryeministrisë për rrëzimin e kryeministrit Rama, siç ata shprehen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme