Sot Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGM), Instituti Maqedonas për Media (IMM) dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), sot para Gjykatës Themelore do të protestojnë me qëllim për të siguruar gjykim të drejtë ndaj gazetarit Zoran Bozhinovskit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Seanca është planifikuar për sot, ora 10:00.
Nga ana tjetër Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (International Federation of Journalists) ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit Zoran Bozhinovski.
“Arrestimi i gazetarit për aktivitete kriminale pa dëshmi është i papranueshëm në vende të lira dhe demokratike, akuzat e tilla kontribuojnë për diskreditimin e gazetarëve si tradhtar dhe kriminel dhe po e rrënojnë besimin e opinionit në to. Bozhinovski publikoi shumë storie me fakte për përfshirjen e funksionarëve në aktivitete kriminale. Besojmë se arsyeja e vetme e arrestimit të tij është që të pengohet që të publikoje tekste të reja”, shkruhet në letrën e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (International Federation of Journalists) drejtuar presidentit Gjorgje Ivanov dhe Kryeprokurorit Marko Zvërlevski.
Përndryshe Bozhinovski akuzohet për shoqërim në krim, spiunazhë dhe shantazh. Pas një kërkese të Maqedonisë, Bozhinovski u arrestua në Serbi dhe u ekstradua në Maqedoni.