Për të katërtën herë në shtatë vitet e fundit Superkupa e Italisë do të luhet ndërmjet Juventusit dhe Lazios, e ashtu si edhe në edicionin e kaluar kjo sfidë do të mbahet në Arabinë Saudite.
11 muaj më herët në Jeddah përpara 61.000 spektatorëve “bardhezinjtë” ngritën trofeun duke mposhtur Milanin falë një goli të yllit të ekipit Cristiano Ronaldo, pas një ore lojë, ndërsa këtë herë finalja e edicionit të 32 të Superkupës së Italisë do të zhvillohet në kryeqytetin e vendit, Riad. Përvecse kampione në fuqi “zonja e vjetër” është gjithashtu edhe skuadra më e suksesshme e këtij kompeticioni, teksa e ka fituar plot 8 herë në historinë e klubit, ndërsa ekipi kryeqytetas e ka ngritur këtë trofe 4 herë, por sidoqoftë “bardhekaltërit” kanë humbur tre finale në historinë e këtij aktiviteti, e dy prej këtyre disfatave i janë shkaktuar pikërisht nga Juventusi, në 2013 4-0 brenda në Olimpico dhe në 2015 në Shanghai me shifrat 2-0.
“Bardhezinjtë” janë mësuar me fitimin e këtij trofeu dhe madje për të mos ngjeshur në vijim kalendarin e tyre të ndeshjeve drejtuesit vendosën të luajnë normalisht në mesjavë në Gjenovë një ndeshje delikate, si c’ishtë përballja me Sampdorian, sfidë që u zgjidh në mënyrë spektakolare nga Cristiano Ronaldo, ndërsa Lazio që të hënën në mbrëmje përmbysi disavantazhin ndaj Cagliari-t brenda në Sardegna Arena me dy gola të realizuar në kohën shtesë në minutat 93 e 98 të takimit, do ta luajë ndeshjen e vlefshme për Javën e 17 me Veronën më datë 5 shkurt.
Trajneri Maurizio Sarri ka grumbulluar gjithashtu edhe dy lojtarë si Szczesny e Alex Sandro që kishin probleme fizike, ndërsa në krahun tjetër Simone Inzaghi nuk ka asnjë problem me formacionin. Sulmuesi argjentinas Paulo Dybala që ka shënuar 3 gola deri tani, ka rastin për t’u bërë golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni, ndërsa në anën tjetër të fushës Ciro Immobile mund të hyjë në historinë e klubit si bomberi i Lazios në këtë kompeticion, pa harruar aspak faktin që portieri legjendar Gianluigi Buffon, që numëron më shumë ndeshje në këtë aktivitet, ka një mundësi shumë të mirë për të koleksionuar edhe trofeun e 7 të Superkupës Italiane, një rekord më vete natyrisht edhe ky.
“Bardhekaltërit” që kishin humbur tre duelet e fundit me Juventusin, pikërisht dy javë më parë ia dolën mbanë në Serinë A për të përmbysur disavantazhin brenda në Olimpico, duke i thyer kampionët në fuqi me rezultatin 3-1. Nën drejtimin e trajnerit Simone Inzaghi Lazio është mbajtur mirë në përballjet ndërmjet tyre dhe në 6 sfidat e fundit dy ekipet numërojnë nga tre fitore, madje edhe Superkupën e fundit “bardhekaltërit” e kanë fituar dy vjet më parë, duke mundur në finale në kryeqytet pikërisht Juventusin me shifrat 3-2. Ndeshja Juventus – Lazio do të luhet në orën 17:45 dhe do të drejtohet nga kryesori Giampaolo Calvarese.