Në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, të dielën nga ora 16:00, takohen Prishtina e Drita.
Ndeshja ka ngjallur interesim mjaft të madh, si në mesin e fansave të futbollit, ashtu edhe tek sport-dashësit për faktin se në këtë ndeshje, që është e fundit e edicionit, do të vendoset gara për titull.
Në garë janë vetëm Drita e Prishtina dhe përballja e tyre direkte do të vendosë se kush do të jetë kampione e Kosovës në futboll për edicionin 2017\18.
Interesimi për këtë ndeshje vlerësohet të jetë shumë i madh, në Prishtinë e Gjilan, por edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Mund të ketë shumë të interesuar për të parë nga afër këtë takim, por shumicës prej tyre kjo nuk do t’iu bëhet e mundur pasi klubi Prishtina, si organizator i ndeshjes, nuk do të nxjerrë në shitje bileta, ka raportuar dje “Koha Ditore”.
Biletat, përkatësisht ftesat, do t’iu ndahen tifozëve të Prishtinës, “Plisave” dhe atyre të Dritës, “Intelektualët”.
Tifozët e Dritës do të kenë në dispozicion vetëm 100 bileta, apo sipas drejtuesve të Prishtinës pesë për qind të biletave të përgjithshme për këtë ndeshje, ndërkohë që interesimi në Gjilan për të parë nga afër ndeshjen është shumë, shumë më i madh. Drita vlerësohet prej skuadrave me numrin më të madh të shikuesve në vend. Përkrahja për skuadrën e Bekim Isufit këtë edicion ishte e madhe nga ana e tifozëve. Por të “mëdha” ishin edhe rezultatet e skuadrës duke qenë se ka mbajtur kreun për një kohë të gjatë, e ndjekure vazhdimisht nga skuadrat tjera, Prishtina e Llapi, por që kjo e fundit në xhirot përfundimtare nuk arriti të tregojë rezultate të mira dhe “siguroi” vetëm pozitën e tretë.
Distanca mes dy ekipeve, Prishtinës dhe Dritës, është vetëm 3 pikë, ndërsa Prishtinës i duhet medoemos fitorja me të paktën dy gola diferencë, për t’i rrëmbyer titullin skuadrës gjilanase, të cilës i konvenon çfarëdo rezultati tjetër.