Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak erdhi në Kosovë për ta matur pulsin e palës kosovare se çka mund të japë në këmbim të njohjes nga Serbia.
“Sigurisht vizita ishte një prekje e pulsit për të parë se ku mund të jetë pazari përfundimtar për atë çfarë mund të japë Kosova në këmbim të marrjes së njohjes nga ana e Serbisë. Takimi i tij me krerët e forcave politike në Kosovë e ka këtë domethënie”.
“Është fatkeqësi që edhe 20 vjet pas çlirimit, 10 vjet pasi që ka filluar dialogu i serishëm dhe 15 e më shumë vjet që kur ka filluar dialogu me Serbinë, një pjesë e klasës politike për të mos thënë krejt klasa politike, opinioni publik, intelektualët dhe gazetarët akoma e kanë në mjegull se çfarë është thelbi i dialogut Kosovë-Serbi. Një pjesë e madhe e njerëzve e marrin sikur neve ‘ndërkombëtarët na u kanë tek dhe po na bëjnë presion që duhet të bisedojmë me Serbinë’, por nuk e shohin si interes kombëtar dhe nuk e dinë se pse kjo gjë është e rëndësishme”.
Spahiu, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se Albin Kurti po përpiqet që “ta ulë pazarin” duke shtuar se ai e di mirë që dialogu me Serbinë është një nga top prioritetet.
“Albin Kurti e ka më të qartë atë se çfarë do nga dialogu. Ai kur nuk e ka pasë të qartë ka shkruar nëpër mure ‘jo negociata, Vetëvendosje’. Tani ai e di ku është thelbi i këtij procesi, prandaj edhe po përpiqet që ta ulë pazarin sa më poshtë. Ai e vendosi një herë si prioritet të shtatë, më pas e bëri si prioritet të katërt”.
Ai ka deklaruar se interesi kombëtar i Kosovës është që të japë sa më pak në shkëmbim të marrjes së njohjes nga Serbia derisa kjo e fundit do të marrë me patjetër diçka nga Kosova.
“Thelbi i këtij procesi është që Kosova të japë sa më pak në këmbim të marrjes së njohjes nga Serbia. Ky është interes kombëtar i Kosovës, kurse interesi kombëtar i Serbisë është që ta japë njohjen e Pavarësisë së Kosovës duke marrë sa më shumë nga Kosova. Kjo ‘sa më shumë’ nënkupton qoftë pjesë të territorit të Kosovës, qoftë kompetenca për Zajednicën, apo ndonjë favor tjetër që është i mundur. Tani për tani i bëhet presion nga BE-ja dhe SHBA-të, por jo edhe aq sa ajo ta japë njohjen për Kosovën pa asnjë çmim. Natyrisht që do të shfrytëzojë një situatë të tillë që nëse ka humbur një territor të paktën të nxjerrë diçka nga kjo. Mjeshtëria e klasës politike të Kosovës qëndron që në këtë negocim ku ai e mban çmimin më të madh dhe ti çmimin më të vogël të anojë kah vetja dhe jo kah pala kundërshtare”.
Por, çka mund të pranojë e çka jo Kosova, nëse i kërkohet, në këmbim të njohjes nga fqinji verior?
“Bosnja e ka pranuar Marrëveshjen e Dejtonit në këmbim të njohjes nga Serbia, por Bosnja ka qenë në një situatë tepër të vështirë të luftës rraskapitëse – ka qenë fatal për fatin e Bosnjës. Nëse Kosovës do t’i ofrohet një njohje nga Serbia në kushte të tilla nuk do të duhej ta pranonte”.
Analisti politik Spahiu ka pohuar se Kosovës i duhet njohja nga Serbia sa më herët që është e mundur.
“Është shumë e rëndësishme njohja e Kosovës nga Serbia për avancimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare. Kosovës i kushton miliarda pse nuk e njeh Serbia. Sa më herët që e njeh Serbia për Kosovën është më mirë, sa më vonë është më keq. Nëse Kosova do të forcojë institucionet e saj dhe do të bëhet një shtet kredibil në arenën ndërkombëtare, Serbisë i ulet çmimi dhe ndoshta në një moment tjetër do ta njohë Kosovën pa asnjë kompensim. Kjo do të merrte shumë kohë dhe neve na intereson që njohja të vijë sa më parë”.
“Sa më shumë që Serbia e vonon njohjen e Kosovës neve na prish punë më shumë, por edhe Serbisë sa më shumë që e vonon do t’i bie çmimi. Duhet gjetur një formulë që të bëhet kjo marrëveshje, prandaj [Mirosllav] Lajçak thotë që duhet të bëhet sa më parë”.
A beson ai se çështja e ujdisë finale mes Kosovës dhe Serbisë është çështje muajsh dhe jo vitesh ashtu siç ka thënë sot Emisari Special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak?
“Kjo do të varet nga Aleksandar Vuçiqi dhe Albin Kurtit si lider i pakontestueshëm i Kosovës me votat që ka marrë. Do të varet edhe prej amerikanëve dhe europianëve se sa do t’i bëjnë presion Serbisë. Sa më i madh që të jetë ky presion amerikan dhe europian ndaj Serbisë, ne e paguajmë më lirë. Sa më i vogël që është ky presion, ne detyrohemi që ta paguajmë më shtrenjtë”.