Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar me urdhër të SPAK.
Burimet bëjnë me dije se arrestimi ka lidhje me dosjen e inceneratorëve të denoncuar nga LSI.
Bëhet fjalë për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës.
Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit 2013 – 2017 ndërsa për 2017 – 2021 ka qenë deputet i PS-së.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 Lefter Koka fitoi mandatin si deputet i Durrësit por hoqi dorë nga ky mandat.
Më 21 tetor 2021 Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI dorëzoi në SPAK kallëzimin për inceneratorin e Fierit.
Në padinë e LSI, shkruhej se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka (ministër nga radhët e LSI), ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’, raporton Ora News.
Karriera politike
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa në 2009 – 2017 ka qenë deputet i LSI-se.
Në 2017 – 2021 iu bashkua PS dhe ishte deputet i Partise Socialiste.
Prokuroria e Posaçme pritet të dalë me një deklaratë, ndërsa flitet se mund të ketë dhe persona të tjerë të arrestuar për këtë dosje.