Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, që përballet me zgjedhje të përgjithshme brenda dy javësh, ka thënë se do të veprojë me “forcë dhe proporcion” kundër çfarëdo përpjekjeje të re katalonjase për pavarësi.
Përpjekja e dështuar e Katalonjës për t’u shkëputur nga Spanja, ashtu si edhe qasja e Madridit në rajon, është bërë çështja definuese në prag të zgjedhjeve të 28 prillit, zgjedhje këto në të cilat, sipas anketave, një koalicion i partive djathtiste dhe unioniste mund ta sigurojnë shumicën, transmeton Reuters.
“Po qe se shohim se ligjet e Kushtetutës apo Statuti për Autonominë në Katalonjë shkelen edhe njëherë, shteti i ligjit, i drejtuar nga kjo qeveri, do të veprojë me forcë dhe proporcion kundër çfarëdo sfide”, ka thënë Sanchez në intervistën e publikuar në gazetën spanjolle, “Hoy”.