Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy i ka kërkuar udhëheqësit katalonas, Carles Puigdemont, ta konfirmojë nëse e ka shpallur pavarësinë e rajonit. Lideri spanjoll tha se kjo ishte e nevojshme para se qeveria spanjolle të merrte “masat e tjera”.
“I jap 5 ditë kohë liderit separatist të Katalonjës që të thotë hapur nëse ka shpallur apo jo pavarësinë”, u shpreh Rajoy.
Nëse Carles Puigdemont do të konfirmojë se e ka ndërmarrë këtë hap, atij do t’i jepen edhe 5 ditë kohë të tjera për të tërhequr shpalljen e pavarësisë.
Në fund të afatit, nëse sqarohet shpallja e pavarësisë dhe Katalonja nuk e tërheq atë, Madridi zyrtar do të zbatojë Nenin 155 të Kushtetutës që lejon qeverinë qendrore të pezullojë autonominë e Katalonjës dhe të imponojë qeverisjen direkte.
Nga ana tjetër, të martën, zoti Puigdemont nënshkroi një deklaratë të pavarësisë, por ndaloi zbatimin e saj për të lejuar negociatat me Madridin.
Rajoy akuzoi Puigdemont për krijimin e “konfuzionit të qëllimshëm” dhe tha se do të rivendoste “sigurinë”.