Ka qenë një turne i paparashikueshëm për Spanjën deri më tani. Por shpërblimi që kanë marrë spanjollët në pikë vlerësohet të mos jetë në përputhje me paraqitjet që i kanë bërë ata.
Ndaj Portugalisë, Spanja ishte dominuese në fushë, por përpjekjet e saj siguruan vetëm një pikë, pas tregolëshit të Cristiano Ronaldos (3:3), shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Në ndeshjen e fituar 1:0 ndaj Iranit, Spanja vuajti ndaj mbrojtjes së organizuar në mënyrë impresive nga iranianët dhe krijoi fare pak raste. Por spanjollët fituan tri pikë falë një goli me shumë fat të Diego Costas. Në përgjithësi ishte një paraqitje e çuditshme e spanjollëve në atë sfidë.
Maroku mund të konsiderojë veten pa fat që është eliminuar tashmë, bazuar në paraqitjet që kishte. Ka humbur ndeshjen hapëse nga Irani me gol të pranuar në minutën e 95-të, ndërsa ishte skuadër më e mirë në fushë në humbjen 1:0 nga Portugalia.
Vetëm krenaria është në “garë” për përfaqësuesen afrikane. Ndërkohë Spanjës i mjafton barazimi për t’u kualifikuar. Se a do të përfundojë e para apo e dyta, varet prej rezultatit të saj, por edhe prej rezultatit të ndeshjes tjetër të grupit mes Iranit e Portugalisë.