Spanja shënon rritje të numrit të viktimave nga virusi

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Spanjë nga koronavirusi kanë vdekur 184 persona, tetë më shumë se një ditë më parë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Pas rasteve të reja, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 shkoi në 27,104. Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe mbi 600 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 228,691 persona.

Shifrat e reja u publikuan në kohën kur dy burime brenda Ministrisë së Jashtme të Spanjës thanë se autoritetet po planifikojnë t’i mbajn të mbyllur kufijtë për udhëtarët e huaj deri në korrik si përpjekje për ta parandaluar një valë të dytë të virusit.

Kufijtë tokësorë me Francën dhe Portugalinë kanë qenë të mbyllur që nga shpallja e gjendjes emergjente në mesin e marsit, duke ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe sjelljen e krizës në sektorin e turizmit.

Spanja ka filluar t’i lehtësojë masat e izolimit për banorët e vet, por ka marrë vendim që t’i vendosë në karantinë dyjavore të ardhurit nga vendet e tjera për ta shmangur hyrjen e personave të infektuar pa u vërejtur.

Gjendja e jashtëzakonshme është e planifikuar të përfundojë më 24 maj, por afati i saj mund të shtyhet, shkruan “The Guardian”.

Të ngjashme