“Jose Riko Perez” është një stadium mesatar për standardet e futbollit europian, me një kapacitet prej 30 mijë vendesh dhe shtëpia e skuadrës së Herkules.
Pikërisht ky është opsioni i fundit që prezanton Federata e Futbollit Spanjoll për të zhvilluar ndeshjen eliminatore të botërorit 2018 ndaj Shqipërisë.
Sipas mediave iberike, edhe pse mbetet për tu zyrtarizuar, qyteti i Alikantes ka fituar kuota për të pritur seleksionin iberik në një ndeshje të cilën vendasit e konsiderojnë të lehtë në letër, ndaj kuqezinjve. 90 minutëshi do të zhvillohet në tetor të këtij viti, dy vjet nga ndeshja e fundit e Spanjës në këtë impiant në fitoren 2-0 ndaj Anglisë, raporton “Top Channel”.
Kjo do të jetë një sfidë vendimtare për fatet e grupit tonë eliminator, për Spanjën që synon kualifikimin direkt dhe Shqipërinë që synon vendin e tretë. Opsion tjetër për ndeshjen elimiantore ishte dhe qyteti autonom i Melijas në Afrikë, nën patronazhin e Spanjës, por mesa duket kjo hipotezë ra poshtë shpejt.