Për shkak të mungesës së prokurorit të shtetit, ka dështuar të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca në rastin ku Kreshnik Aliçkaj, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të Filharmonisë së Kosovës, po akuzohet për mosdeklarim të pasurisë.
Gjykatësi Driton Berisha tha se prokurori i shtetit është ftuar në mënyrë të rregullt, siç rezulton nga fletëdërgesa e 4 korrikut 2024, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, emri i prokurorit që do të përfaqësojë në këtë gjykim, nuk është bërë i ditur nga gjykata në këtë seancë.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë për një datë tjetër.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë me kërkesë për dhënien e urdhrit ndëshkimor kundër Kreshnik Aliçkajt, i cili akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të Filharmonisë së Kosovës, me rastin e marrjes së detyrës më 19 maj 2021, nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh (deri më 19 qershor 2021).
Aktakuza thotë se i akuzuari nuk e dekaroi pasurinë brenda afatit 30 ditor, por me një muaj vonesë (9 korrik 2021).
Me këtë, Aliçkaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në tri vjet.