Administratorja e Dhomave të Specializuara dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale kanë sqaruar punët që kanë mbetur deri te funksionalizimi i plotë i Gjykatës Speciale. Kështu, ngritja e aktakuzave të para pritet të bëhet brenda pak muajsh. Kryeprokurori ka thënë se do të kryejë hetime pa frikë dhe pa favore
Funksionalizimi i Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorisë së Specializuar, apo siç njihet shkurt Gjykatës Speciale, është afër finalizimit. Kështu ky institucion, i cili do të merret me krimet e pretenduara të luftës gjatë periudhës janar 1998 – dhjetor 2000 nga ana e UÇK-së, do të mundë të ngrejë aktakuzat e para brenda pak muajsh. Drejtuesit e këtij institucioni kanë sqaruar punët që kanë mbetur deri në ngritjen e aktakuzave të para dhe fillimin e gjykimeve.
Kështu, sipas tyre, tani ka filluar procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Dhomave të Specializuara dhe gjykatësve në listën e gjykatësve ndërkombëtarë. Më pas do të punohet për miratimin e një dokumenti ligjor thelbësor, Rregullore e Procedurës dhe Provave, e nevojshme për kryerjen e procedurave gjyqësore. Gjithashtu gjatë kësaj kohe do të bëhet rekrutimi i punonjësve të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku do të mundë të angazhohen për shtetas të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe tё shteteve tё treta kontribuuese.