Specialja nuk jep detaje lidhur me vizitën e Haxhiut në Hagë

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk kanë dhënë detaje lidhur me vizitën e ministres së Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu në Hagë.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se për shkak të privatësisë nuk mund të ofrojnë informacione në lidhje me kërkesat e vizitorëve.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat në detaje”, tha ajo.

Siç është bërë e ditur nga MD, qëllimi i vizitës është takimi me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se një viti mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara.

Flamur Pireva, këshilltari i ministres Haxhiu, të hënën ka thënë për Telegrafin se delegacioni nga Kosova do të takohet me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ish-shefin e GP të LVV-së, Rexhep Selimi dhe me ish-krerët e OVL e UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e po ashtu edhe me ish-luftëtarin Pjetër Shala.

Ndërsa, vizita e ministres Haxhiu me ish presidentin Hashim Thaçi dhe ish kreun e PDK-së ende nuk është konfirmuar.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Të ngjashme