Spekulonin se ka vdekur Erdogani, ndiqen penalisht 30 persona në Turqi

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Turqia ka nisur procedimet ligjore kundër 30 personave për spekulime për shëndetin e presidentit Rexhep Tajip Erdogan në rrjetet sociale.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Turke, të dyshuarit po ndiqen penalisht për postime në Twitter për Erdoganin duke përdorur hashtagun #ölmüş (#i vdekur), shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Autoriteti tha në një deklaratë se individët kishin shpërndarë “dezinformim dhe përmbajtje manipuluese” në internet. Të dyshuarit ishin gjithashtu nën hetim për përhapjen e përmbajtjes që “fyen ose keqinterpreton” Presidentin turk.

“Janë identifikuar 30 persona dhe ndaj tyre kanë nisur procedimet e nevojshme ligjore. Bëhen hetime të nevojshme për postimet që përmbajnë gënjeshtra, të pabaza dhe dezinformata dhe u dërgohen organeve të drejtësisë”.

Më vete, avokatët e Erdoganit kanë paraqitur gjithashtu një ankesë në zyrën e kryeprokurorit të Ankarasë.

Ditët e fundit janë shtuar spekulimet për shëndetin e Erdoganit, pasi së fundmi ai u fotografua me vështirësi në ecje.

Gjatë një mesazhi për pushime në korrik, presidenti 67-vjeçar u shfaq i sëmurë, ndërsa fjalimi i tij dukej i paqartë ndonjëherë.

Por, ndihmësit presidencialë të Turqisë kanë shpërndarë video në Twitter të Erdoganit për të shuar zërat për gjendjen e tij të keqe.

“Besoni mikun, kini frikë nga armiku,” shkroi në Twitter shefi i komunikimit të presidentit, Fahrettin Altun, krahas një videoje të Erdoganit duke ecur më fuqishëm pas një udhëtimi me avion nga Stambolli në Ankara.

Dalja e tij më e fundit publike ishte në samitin e G20 të së dielës në Romë, ku Presidenti turk u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden.

Erdogan anuloi paraqitjen e tij në konferencën COP26 të OKB-së për klimën në Glasgow të hënën, duke përmendur arsye “sigurie”.

Të ngjashme