Mbi 50 mijë hektarë më grurë janë mbledhur sivjet në Kosovë. Rendimentet për një hektar sillen rreth 4 mijë kilogramë e që i bije që të jenë grumbulluar rreth 200 mijë tonë. Me këto rendimente Kosova sërish nuk ka arritur që të plotësojë nevojat me grurë.
Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë i tha Ekonomia Online se kërkesa për grurë për kokë banori sillet rreth 200 kilogramë, ose 400 mijë tonë grurë.
“Sipas një raporti të publikuar të faunës kërkesa për kokë banori të grurit në Kosovë është 205 kilogramë, nëse kalkulojmë me numrin total të banorëve duke i llogaritur 2 milionë banorë në Republikën e Kosovës, atëherë i bie diku rreth 400 mijë deri në 410 mijë tonë grurë duhet t’i ketë Kosova për konsumin ose për plotësimin e nevojave”.
Sipas Cikaqit është e domosdoshme që importohen produkt bujqësor, ngase nuk përmbushen nevojat nga prodhimi në vend. Grurë Kosova merr nga vendet e regjionit, por edhe nga Austria e Hungaria.
“Pjesa që e prodhon Kosova të grurit dhe kulturave të tjera që konsumohet nga prodhimi vendor dhe aty ku nuk plotësohen nevojat normalisht që pastaj është e nevojshme të sigurohet ai produkt bujqësor nga importi”.
“Nuk vjen vetëm nga Serbia, vjen nga vendet e ndryshme të regjionit edhe nga Austria e Hungaria. Importi nga Serbia është bërë deri në kohën e vendosjes së taksës dhe sa i përket sigurisë në lidhje me kualitetin normalisht janë përgjegjës Agjensioni i Ushqimeve dhe Veterinarisë”.
“Sipas informacioneve që i kemi marr ne ata bëjnë dërgimin e tyre në analizë në qofte se ato nuk i përmbushin kriteret atëherë ato ose kthehen mbrapsht ose asgjësohen”.
Cikaqi thotë se Ministria e Bujqësisë i ka dy programe në mbështetje të fermerëve, raporton EO.
“Shuma përkrahëse e subvencioneve këtë vit ka qenë 150 për hektar, për fermerët të cilët kanë kultivuar drithëra në përgjithësi dhe mbi 6 milionë që kanë shkuar vetëm për grurin, pasi që është kultura e cila kultivohet me sipërfaqen më të madhe në Republikën e Kosovës”.
Sipas tij, faktori që i shtynë fermerët te blejnë makina të reja është cilësia sa më e mirë e produkteve.
“Fermerët tanë viteve të fundit kanë bërë progres në blerjen e makinerive të reja në shumë fusha, një prej faktorëve kryesor është rritja e cilësisë të produkteve dhe tentohet të shkohet nga puna në mënyrë të mekanizuar”.
“Në Republikën e Kosovës, ka mjaft fermerë të cilët merren me kultivim e drithërave dhe të grurit në veçanti, mirëpo shumë fermerë viteve të fundit po ndryshojnë edhe mbjelljen e kulturave varësisht prej interesit që kanë. Por megjithatë dominonë kultura e grurit. Fermerët janë ata të cilët e kultivojnë grurin për nevoja vetanake”.