SPERTK njofton përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve për kolapsin financiar në RTK

Prishtinë | 23 Kor 2025 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka njoftuar sot përfaqësitë diplomatike në Kosovë si dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve lidhur me gjendjen e rëndë financiare në të cilën ndodhet Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), duke paralajmëruar për një kolaps të mundshëm financiar që mund të ndikojë seriozisht në funksionimin e transmetuesit publik.

Sipas SPERTK, RTK është përballë rrezikut të ndërprerjes së funksionimit për shkak të mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, gjë që cenon drejtpërdrejt stabilitetin institucional, të drejtat e qindra punonjësve dhe realizimin e misionit të saj publik të garantuar me Kushtetutë.

Sindikata ka theksuar se mosveprimi i institucioneve shtetërore për të zhbllokuar këtë situatë financiare po e vë në pikëpyetje të ardhmen e RTK-së si institucion i pavarur mediatik. Ajo i bën thirrje faktorëve vendimmarrës që urgjentisht të marrin masa për zhbllokimin e buxhetit, për të garantuar jo vetëm pagat e punonjësve, por edhe vazhdimësinë e prodhimit të programeve informative, kulturore e edukative.

“RTK është një aset i përbashkët i qytetarëve dhe një shtyllë thelbësore e demokracisë në vend. Çdo ditë vonesë rrezikon të shkaktojë pasoja të pakthyeshme”, thuhet në deklaratën e SPERTK-së.

SPERTK fton opinionin publik, mediat dhe institucionet e Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të informuar dhe të bashkohen në mbështetje të transmetuesit publik në këtë kohë kritike.

Të ngjashme