Komuna e Ferizajt ka dal me një njoftim për pacientët që janë duke u trajtuar me Covid-19. Edhe pse ka pasur raportime që në spitalet e vendit ka mungesë të oksigjenit, këto deklarata po quhen spekulime nga kjo komunë.
Në faqen zyrtare të komunës së Ferizajt është hedhur një njoftim ku bëhet thirrje që të mos krijohet panik për çështjen e oksigjenit.
“Pas disa spekulimeve, Shtabi Emergjent Komunal siguron se nuk ka nevojë për panik, duke njoftuar se nuk ka pasur dhe nuk ka mungesë të oksigjenit për të infektuarit me COVID-19 që po trajtohen në Spitalin e Ferizajt. Andaj, Shtabi Emergjent Komunal siguron qytetarët e Ferizajt duke konfirmuar se ka sasi të mjaftueshme të oksigjenit për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin COVID-19, që po marrin shërbimin shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt”, thuhet në njoftim.