Spitali i Pejës ofron komunikim online me qytetarët nëpërmjet Facebookut

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Spitali i Përgjithshëm i Pejës prej ditës së martë do t’ua mundësojë qytetarëve të rajonit që ai mbulon komunikimin përmes Facebookut me mjekët e këtij spitali.

Me këtë projekt, siç njoftoi të hënën Zyra për informim e këtij spitali, kanë për synim që spitali të jetë sa më afër qytetarëve që kanë shqetësime shëndetësore gjatë kësaj kohe të ballafaqimit me pandeminë e Coronavirusit.

“Me qëllimin që qytetarëve t’u jepen sa më shumë këshilla shëndetësore pa pasur nevojë që të dalin nga shtëpitë e tyre, Spitali i përgjithshëm në Pejë fillon të realizojë projektin e emërtuar ‘Direkt me doktorin’, në kuadër të të cilit mjeku specialist do t’iu përgjigjet direkt pyetjeve të pacientëve në faqen zyrtare të Spitalit, në Facebook. Projekti fillon nga dita e martë, 31 mars, prej orës 09:00, dhe mjeku i parë që do të jetë drejtpërdrejt në Facebook me pacientët është infektologu Zenel Shatri”, thuhet në njoftimin e spitalit, raporton KOHA.

Sipas zëdhënësit të këtij spitali, Naim Sahiti, spitali ka zgjedhur qëllimisht Facebookun si mënyrë e komunikimit me qëllim që sa më lehtë të mund të kenë qasje pacientët apo qytetarët, të cilët, sipas tij, pyetjet mund t’i drejtohen me shkrim gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në Facebook apo përmes SMS, në numrin e telefonit 045/126-111. Sahiti ka treguar se çdo ditë pune do të jetë nga një mjek specialist të reparteve të ndryshme në spital, që do të komunikojë drejtpërdrejt me pacientë për së paku gjysmë ore deri në një orë, varësisht prej interesimit të qytetarëve.

Për këtë javë janë caktuar mjekët që do të komunikojnë me pacientë në Facebook. Të martën infektologu Zenel Shatri, të mërkurën psikiatri Muhamet Haliti, të enjten pulmologu Fahri Hasani dhe të premten kardiologu Sali Shala. Sahiti ka bërë të ditur se gjatë javës tjetër do të vazhdojë komunikimi i drejtpërdrejtë me pacientë nga mjekët e tjerë specialistë të këtij spitali.

Kjo mënyrë e komunikimit të mjekëve me pacientë është planifikuar të zgjasë gjatë periudhës sa është aktive pandemia e koronavirusit, por ajo mund të vazhdojë edhe më tutje, varësisht nga interesimi i qytetarëve.

Të ngjashme