Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj mbeti edhe pa Biokimistin e vetëm Klinik që posedonte

Ferizaj | 18 Nën 2021 | 13:19 | Nga Skender Berisha

Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj së fundmi mbeti edhe pa të vetmin Biokimit Klinik që kishte. Ministria e Shëndetësisë dhe menaxhmenti i këtij spitali duket se nuk po preokupohen, pasi nuk ka iniciativë për zëvendësimin e tij dhe shtimin e kapaciteteve. Ndërsa pasojat i bartin qytetarët e Ferizajt.

Edhe pse në në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt ofrohen shërbime me këto reparte siç janë: Reparti i Emergjencës me reanimacion, Reparti i Interno-s, Reparti i Hemodializës, Reparti Kirurgjisë, Blloku operativ, Reparti i Ortopedisë, Reparti i Urologjisë, Reparti Gjinekologjisë,
Reparti Pediatrisë-neonatologjisë, Reparti i Transfuzionit, Radiologjia, Ambulanca Specialsitike si dhe Laboratori, pak apo thuajse fare nuk ofrohen mundësi të shtimit të kapaciteteve të personelit që janë të domosdoshëm për të funksionuar një dikaster në mjediset e spitalit në
Ferizaj.

Është e papranueshme dhe nevojitet intervenim urgjent në sanimin e dëmeve që po i bëhen qytetit të Ferizajt me këtë papërgjegjësi totale nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxhmenti spitalor.

Mjekëve kosovarë nuk po u ofrohen kushte për të qëndruar dhe të kontribuojnë në spitalet tona, atyre nuk u vlerësohet puna.

Por, si vlerësohet puna e tyre nga shteti? Është e natyrshme, me mjete financiare (paga që secili nga ne kryen një angazhim).

Kush po e bënë këtë vlerësim tani për tani? Siq duket shërbimet spitalore private, poliklinikat, klinikat, por pa lënë anash edhe ikjen e tyre në botën perëndimore!

Aspak nuk është e drejtë ti sulmojmë ata në mënyrat që ne i gjejmë dhe na hyjnë në punë kur kemi interesa personale. Një mjek pa marrë parasysh se cili është, ka meritat e tij, dhe për të ardhur deri aty sa ti shërbejë qytetarëve është dashtë mund i madh.

Prandaj, ne duhet t’i vlerësojmë sa i kemi, t’i respektojmë dhe t`’iu japim mundësinë që edhe ata të ndjehen të vlerësuar në atë apo këtë mënyrë.

(Autori është  anëtar i KQZ-së nga PDK-ja) 

Të ngjashme