Spitali Special për Rehabilitim “Onix” nuk do të monitorohet më nga AKP-ja

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 20:13 | Nga

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e liroi sot nga monitorimi i saj ndërmarrjen e re “Spitali Special për Rehabilitim të Përgjithshëm Onix”, si rezultat i përmbushjes së kushteve të kontratës së shit-blerjes nga ana e blerësit.

Në një ceremoni rasti të mbajtur në ambientet e ndërmarrjes “Onix spa”, që gjendet në komunën e Istogut, drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari i shoqëruar nga zëvendës drejtoresha menaxhuese Valbona Dibra ia dorëzuan blerësit Xhevdet Shoshi edhe formalisht vendimin për lirimin e kësaj ndërmarrje nga monitorimi i AKP-së.

“Ndërmarrja e re “Spitali Special për Rehabilitim të Përgjithshëm Onix”, paraqet një shembull suksesi të privatizimit në Kosovë, falë bashkëpunimit të mirëfilltë në mes Agjencisë dhe blerësit. Me një investim mbi 5 milionë euro të realizuara deri më tani, sot Ndërmarrja e Re “Spitali Special për Rehabilitim të Përgjithshëm Onix”, është funksionalizuar dhe është shndërruar në tregim suksesi në realizimin e përmbushjes së investimeve dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të saj në fushën e shërbimeve dhe turizmit jo vetëm për brenda Kosovës, por edhe për shtetet për rreth nesh”, deklaroi drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të kësaj ndërmarrje nga AKP tek blerësi, duke i uruar atij suksese të mëtutjeshme në zhvillimin e kësaj ndërmarrje.

Ndërmarrja e re “Spitali Special për Rehabilitim të Përgjithshëm Onix” është privatizuar në vitin 2013 si projekt individual përmes tenderit ndërkombëtar, me çmimin më të lartë të ofruar prej 6,1 milionë euro. Shitja përfshinte tokën me sipërfaqe prej (26 ha e 58 ari dhe 56 metra katror) dhe objekte me sipërfaqe prej 38,834 metra katror dhe të cilat gjenden në komunën e Istogut.

Blerësi Xhevdet Shoshi tha se objektet e ndërmarrjes kanë qenë në gjendje jo të mirë, ndërsa ai tha se kanë realizuar investime të shumta për ta rivënë në funksion dhe për të ofruar shërbime sa më cilësore.

“Është një resor që e kemi ringjallë dhe sot jemi të kënaqur që e kemi funksionalizuar ndërmarrjen me shumë shërbime që ofrojmë tani. Në dispozicion janë 360 shtretër për klientë dhe të gjitha tani janë të rezervuara. Kemi arritur t’i angazhojmë mbi 140 punëtorë dhe t’i krijojmë vende të sigurta pune”, tha Shoshi, duke shtuar se stafit vazhdimisht u ofrohen ligjërata, trajnime për çka kanë të angazhuar këshilltar edhe nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, ndërmarrja vitin e kaluar ka arritur realizim rreth 1 milionë euro, ndërsa për 2016 ai tha se presin mbi 2.4 milionë euro të realizojnë deri në fund të këtij viti, përderisa edhe cilësia e ujit, ushqimit, shërbimeve shëndetësore e shërbime të tjera që ofrohen aty, sipas tij, po vlerësohet shumë si nga klientët, ashtu edhe nga inspektorët gjatë kontrolleve rutinore që bëjnë.

Sipas kontratës së privatizimit, blerësi Xhevdet Shoshi kishte marrë zotime se do të vazhdoj aktivitetin aktual të biznesit, që nënkupton vazhdimin e veprimtarisë së njëjtë të Ndërmarrjes Shoqërore në banjë shëndetësore dhe hotel dhe se do të mbajë aktivitetin aktual të biznesit deri në përfundimin e periudhës së zotimit në afat kohor prej 3 viteve nga momenti i ratifikimit të Marrëveshjes për Shitblerje.

AKP, pas verifikimit të përmbushjes së zotimeve të marra nga ana e blerësit, përkatësisht Ndërmarrja e Re “Spitali Special për Rehabilitim të Përgjithshëm Onix”, me vendim të Bordit të Drejtorëve e liroi nga Marrëveshja e Zotimeve bazuar në nenin 6.1.1 të marrëveshjes së zotimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme