Basketbollistet së shpejti bëhen me përfaqësuese

Prishtinë | 11 Jan 2019 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Ëndrra e basketbollisteve që kalojnë moshën për të luajtur me grupmoshat e reja po shkon duke u bërë realitet. Federata e Basketbollit e Kosovës ka premtuar që vitin e ardhshëm të formojë përfaqësuesen seniore për basketbolliste.

Basketbolli është sporti i vetëm ekipor prej katër sa janë të zhvilluar, që nuk ka përfaqësuese seniore të femrave.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka caktuar disa politika programore që kanë për qëllim masivizimin dhe zhvillimin e basketbollit të femrave. Basketbolli i femrave vlerësohet se qëndron dukshëm prapa atij të meshkujve në të gjitha aspektet. Për kampionat, hap para është bërë edicionin e kaluar kur skuadrat nisën të angazhojnë lojtare amerikane, trend që po vazhdon edhe këtë vit.

Në rritjen e basketbollit të femrave në FBK shpresojnë se do të ndikojë organizimi i Kampionatit Evropian U-20, Divizioni B për basketbolliste që mbahet prej 3 deri më 12 gusht në Prishtinë. Kosova, Islanda, Kroacia, Izraeli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia e Bullgaria janë vendet pjesëmarrëse.

“Nëpërmjet organizimit të kësaj gare prestigjioze në vendin tonë, FBK-ja do të mundohet të vetëdijesojë qeveritë lokale dhe atë qendrore për të rritur përkrahjen për basketbollin femëror, duke filluar nga klubet e deri tek ekipet nacionale, si dhe për të shtyrë edhe sponsorët në mbështetje të sportit të femrave. Nëpërmjet këtij aktiviteti synohet po ashtu të masivizohet basketbolli te vajzat”, thuhet në një njoftim të FBK-së të enjten.

Kosova këtë vit për herë të parë do të paraqitet me tri përfaqësuese të reja në evropianët e basketbollisteve, në Divizionet B, pra me U-16, U-18 e U-20. Vitet e kaluara kanë luajtur vetëm U-16 e U-18, që nuk patën ndonjë sukses.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme