Blerësit e biletave në pritje të LO “Tokio 2020”

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Blerësit e biletave për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” po presin me padurim fjalën nëse lojërat do të vazhdojnë sipas orarit të planifikuar, pasi raportimet se paratë nuk do të rimbursohen në rast të pezullimit të kësaj ngjarjeje kanë nxitur frikë të madhe tek ata. Biletat janë tërhequr në Japoni, me mbi tre milionë sosh të shitura nëpërmjet lotarisë së organizuar në muajin maj të vitit të shkuar.

Kërkesat e mëdha për shitje të mëvonshme gjithashtu lanë shumë tifozë të zhgënjyer për shkak se nuk arritën të pajisen me bileta për LO “Tokio 2020”. Kështu që personat që i kanë blerë po shpresojnë që kjo ngjarje të mbahet ashtu siç ka qenë e programuar. Organizatorët e Lojërave Olimpike kanë insistuar vazhdimisht se ato do të mbahen sipas orarit të paraparë: 24 korrik – 9 gusht, pavarësisht se të gjitha aktivitetet sportive tashmë janë pezulluar shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Të mërkurën, mediumet japoneze kanë raportuar se biletat nuk do të rimbursohen në rast se lojërat olimpike të këtij viti pezullohen për shkak të këtij virusi. Madje, organizatorët nuk do të mbajnë përgjegjësi për pezullimin e kësaj ngjarjeje që është pritur me padurim në të gjithë botën, veçanërisht në Japoni.

Pas këtyre raportimeve kanë nisur edhe reagimet e para në rrjetet sociale nëpër Japoni, ku ata që kanë blerë biletat kanë shprehur shqetësimet e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme