E mbijetuara nga kanceri i gjirit është e vendosur që të marrë pjesë për herë të pestë në Lojërat Olimpike

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Chaunte Lowe është e mësuar që t’i përmbyset bota.

Pjesëmarrëse në Lojëra Olimpike plotë katër herë në kërcim së larti dhe fituese e medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, ajo është diagnostikuar me kancer të gjirit vitin e kaluar, shkruan CNNt.

Ishte e papritur, të thuhet së paku.

“Jam e re, e shëndetshme, nuk pijë alkool, kurrë nuk kam pirë dhe nuk jam përdoruese e drogave. Kam bërë gjitha gjërat si duhet për të mos qenë në këtë pozitë. Ishte një koncept i gabuar, që shpesh çon te diagnostikimet e gabuara, veçanërisht te femrat e reja”, thotë Lowe 36-vjeçare.

Një diagnozë e gabuar bëri gjërat më keq.

Një kokërr e vogël të madhësisë së një kokrre orizi, e qoi te mjeku kur ishte 34-vjeçarea.

Mjeku e vlerësoi të parrezikshme, thotë Lowe.

Ai më tha se nuk dua të shoh për gjashtë vjet, derisa të mbushësh 40 vjet”, tregon Lowe.

Për fat të mirë, si një olimpistë ajo di të monitorojë trupin e vet, sikur të ishte një makinë e mirëmbajtur mirë.

Lowe thotë se ndjeu se kokrra po rritej çdo ditë, diçka që e përshkroi si të frikshme.

Pas 11 muajve ajo kërkoi një mendim të dytë dhe mostra u dërgua menjëherë për biopsi.

U konstatua se ajo kishte një formë kanceri të gjirit që është shumë agresiv dhe rritet shumë shpejt, një formë që prek më tepër femrat me prejardhje nga perëndimi i Afrikës.

Po të ishte diagnostikuar kanceri herën e parë që ishte te mjeku, do të duhej vetëm ndërhyrje dhe rrezatimi.

Mirëpo, Lowe u desh t’i nënshtrohej një amputimi të dy gjinjve dhe po ashtu seancave të kemioterapisë në vitin 2019.

“Unë them thjeshtë se gjëja e vetme që do të dëshiroja është që të mos kishte thënë, ‘definitivisht, nuk ka asgjë të keqe’”, ka thënë Lowe për mjekun e parë.

Ajo thotë se tretmani ka qenë i suksesshëm dhe mjekët i kanë thënë se nuk ka shenja për qeliza tjera kancerogjene.

Mirëpo, trupi i saj ende po rikuperohet nga kemioterapia, që ka dobësuar sistemin e saj imunitar.

Shpërthimi i koronavirusit komplikon situatën për Lowen.
Për shkak të sistemit imunitar më të dobët, ajo futet në mesin e personave të rrezikuar, diçka që Lowe thotë se nuk është komode, por se të hap sytë.

Përkundër shqetësimeve serioze për shëndetin, Lowe ka qenë e vendosur të garonte në Lojërat Olimpike edhe po të mbaheshin këtë vit.

“Do të isha frikësuar, e do të kisha shqetësime tjera që sportistët tjerë nuk i kanë”, ka thënë ajo.

Por, me Lojërat Olimpike të shtyra deri në verën e vitit 2021, atletja që garon në kërcim së larti, është më e vendosur se kurrë që të marrë pjesë.

Në vitin 2008, Lowe përfundoi e gjashta Lojërat Olimpike në kërcim së larti, mirëpo u ngrit më pas te medalja e bronztë, pasi tri atlete që kishin përfunduar para saj testuan pozitive për doping.

Lowe dëshiron të përdorë platformën që i është ofruar për të rritur vetëdijesimin për kancerin e gjirit.

Më tepër se 42 mijë femra pritet të vdesin nga kanceri i gjirit në SHBA këtë vit, sipas të dhënave nga American Cancer Society.

Në vitin 2018, kishte më tepër e dy milionë raste të reja me kancer të gjirit në mbarë botën.

Hulumtuesit thonë se zbulimi i hershëm rrit gjasat për mbijetesë. Lowe shpreson se, duke rritur vetëdijesimin, ajo do të mund të ndihmojë të tjerët.

Sa për Lojërat Olimpike, Lowe thotë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka marrë vendimin e duhur për të shtyrë ngjarjen.

Por, ajo e di se çfarë ndikimi mund të ketë shtyrja te sportistët.

“Sportistët dedikohen plotësisht për Lojërat Olimpike. Imagjinoni nëse jeni në ndonjë dietë rigoroze dhe i thua vetes se mund të vazhdosh deri në këtë datë. E më pas të duhet të bësh këtë edhe për një vit, do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Lowe.

Lowe ka folur me sportistët tjerë që nuk janë të sigurt nëse do t’ia dalin për të garuar në Tokio vitin e ardhshëm, duke shtuar se mentalisht është shumë e lodhshme.

Ajo krahason ndikimin që ka pasur COVID-19 te sportistët nëpër botë, me përvojën e saj me kancerin e gjirit.

“Je në kulm të shëndetit fizik. Ke ëndrra të shkosh në Lojëra Olimpike, të garosh në skenën botërore, të përfaqësosh vendin tënd, familjen tënde, sportin tënd, dhe papritmas, të merret kjo mundësi”, thotë Lowe.

Pos stërvitjeve për Lojërat Olimpike, amerikanja po ashtu është duke rritur tre fëmijë.

Ajo tash është edhe një e mbijetuar e kancerit të gjirit, e vendosur për të përkrahur tjerët dhe për të rritur vetëdijesimin për sëmundjen.

Ajo po shikon të gjejë gjëra pozitive në gjithë situatën, që është krijuar nga pandemia këto muajt e fundit.

“Ne jemi bërë të gjithë bashkë. Të gjithë po shqetësohen për mirëqenien e botës dhe për shëndetin e botës. Të gjithë duhet të marrin pjesë në këtë proces që të sigurohen që bota jonë të jetë e shëndetshme. Mendoj se Lojërat Olimpike në Tokio do të mbahen në një kohë paqe, në një kohë festimi dhe shpresoj, në një kohë për t’u mbajtur në mend se të gjithë jemi bërë bashkë si një për të shpëtuar botën”, thotë Lowe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme