Futbollistët optimistë për “finalen” me Çekinë

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës, të hënën mbrëma, ka mbajtur stërvitjen e parë për ndeshjet eliminatore të “Euro 2020”. Nën urdhrat e seleksionuesit Bernard Challandes, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nuk ishin të pranishëm të gjithë futbollistët. Lojtarët që kanë pasur ndeshje me skuadrat e tyre të dielën, si Milot Rashica, Bersant Celina, Benjamin Kololli, Edon Zhegrova e disa të tjerë, janë lënë në hotel për rigjenerim.

Ndërkohë Leart Paqarada e Herolind Shala nuk janë stërvitur për shkak të disa shqetësimeve të vogla nga lëndimet që i kanë pësuar së fundi. Për dallim prej tyre, sulmuesi Vedat Muriqi është stërvitur i diferencuar prej 15 futbollistëve të tjerë që ishin nën urdhrat e Challandesit, për shkak të lëndimit të nyjës që e pësoi në ndeshjen e fundit me Fenerbahçen, shkruan sot Koha Ditore.

Muriqi ka bërë disa vrapime të lehta dhe pastaj është stërvitur me trajnerin kondicional, i cili përcillte gjendjen e tij. Challandes në konferencën e mbajtur të hënën në mëngjes ka pranuar se Muriqi ende po ndien dhimbje, por ka shtuar se pret që sulmuesi shtatlartë të jetë i gatshëm për ndeshjen me Çekinë. Kosova të enjten (14 nëntor) luan në Plzen ndaj Çekisë, kurse tri ditë më vonë në Prishtinë e pret Anglinë në kuadër të Grupit A eliminator. Kosova është e treta në grup me 11 pikë, një më pak se Çekia që zë vendin e dytë derisa Anglia është lidere me 15 pikë pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara. Dy vendet e fundit në këtë grup i ndajnë Mali i Zi dhe Bullgaria me nga tri pikë dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme