Gashi shpërblen Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin

Pejë | 19 Kor 2018 | 15:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka shpërblyer xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi për fitoret në Kampionatin Europian, të mbajtur në Izrael.

Nora Gjakova, e cila fitoi medaljen e artë në Tel Aviv, mori një çek prej 20 mijë eurosh, ndërsa fituesja e medaljes së argjendtë, Distria Krasniqi, një çek prej 14 mijë eurosh, për suksesin e shënuar, raporton Ekonomia Online.

Në një ceremoni të organizuar në Federatën e Xhudos në Pejë, ministri Gashi shpërbleu edhe trajnerin Driton Kuka me 10 mijë euro.

Duke folur për media, Gashi tha se sportistët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

“Është kënaqësi me vizitu klubin e shume medaljeve. Qëllimi i vizitës është të ndaj çmimet dhe të shoh me çfarë kushtesh ballafaqoheni , kur dihet se ka kohë të gjatë që është mendu ta kemi një qendër nacionale të xhudos, por nuk ka asnjë justifikim qe ku projekt të zvarritet më, sepse ky klub ka qindra sportist dhe objekti nuk i plotëson as kushtet minimale. Sporti dhe këta sportist janë krenaria dhe ambasadorët me të mirë të vendit”, tha ai.

Presidenti i Komitetit Olimpik, Besim Hasani, tha se shpërblimi i sportistëve është investimi më i mirë që shteti mund të bëjë.

“Arritja e rezultateve kulmore, çfare janë arritur, nuk bëhet lehtë. Është ndjenjë e mirë që ky mund të shpërblehet, edhe pse është shumë simbolike. Ky është investimi me i mire që mundet me bë shteti kur e mbështet sportistet”. tha Hasani.

Trajneri Driton Kuka, ndërkaq,  tha se qeveria duhet të krijojë kushte për palestrën e xhudos, për shkak se numri i sportistëve është rritur.

“Është kënaqësi që këtë ngjarje e shënojmë në këtë ambient, një ambient që nuk po na zë më, sepse numri është rritur. Ka ardhur momenti që të zgjerohemi, sepse një projekt që ka nisur që dy vjet ka ngecë. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa që atë që e meritojmë”.

Xhudistja Nora Gjakova kërkoi të bëhet me shumë nga shteti, sepse, sipas saj, numri i sportistëve po rritet

“Ligji për sport është motivim që ne të punojmë më shumë. Shpresojë që ministria të përkrahë ende më shume sepse nuk jemi dy ose tre por jemi bërë numër i madh”, pohoi Gjakova, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme