Gotze: Ende më duhet të marr mjekime

Prishtinë | 03 Gus 2017 | 14:56 | Nga

Mario Gotze vazhdon të punojë për të “hequr qafe” problemet me metabolizmin. Mesfushori kampion bote është rikthyer në stërvitje te Borussia Dortmund dhe madje ka luajtur edhe si titullar së fundmi, por ende nuk e ka kaluar sëmundjen e tij.

“Tani mund të vrapoj me lehtësi sërish, por duhet të vazhdoj kështu. Ende më duhet të marr mjekime”, – shprehet ai për revistën “Kicker”.

“Problemet e mia me metabolizmin tani janë pjesë e jetës sime dhe jam i lumtur që jam rikthyer të bëj atë që më pëlqen. Sigurisht, kam nevojë për stërvitje dhe ndeshje që të rikthehem në ritmin tim. Nuk mund të heq dorë nga faza e rehabilitimit pas pesë muajsh punë. Do të më duhet kohë për të qenë në 100%-shin tim”, shton 25-vjeçari

Siç shpjegon vetë ai, Götze ka punuar me një program të veçantë që në janar, kur u zbulua problemi i tij. “Kam vuajtur edhe psikologjikisht. Nuk është se nga sot nesër nuk arrija të bëja asgjë. Jam stërvitur në vende të ndryshme dhe pastaj kam kaluar pushimet në SHBA. Gjithçka është diskutuar me klubin dhe mjekët”.

Me sytë nga Kupa e Botës 2018, “Shpëtimtari i kombit” thekson se nuk pret asnjë “dhuratë” nga Joachim Löw, ngaqë para tre vitesh ishte ai autori i golit vendimtar në Brazil. “Në Rio përjetuam një event jashtëzakonisht të bukur, por pas katër vitesh nuk mund të kesh bonuse në Botërorin e radhës”, ka përfunduar Götze.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme