Hendboll, Kosova U19 humb nga Kanadaja por kalon në gjysmëfinale

Prishtinë | 13 Pri 2019 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja U-19 e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje nga Kanadaja, në ndeshjen e fundit të fazës grupore të kësaj grupmoshe në IHF Trophy Intercontinental që po mbahet në Prishtinë.

Të premten pasdite në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, Kosova U-19 humbi nga Kanadaja me shifrat 31:35. Kanadezët e rinj prej fillimit krijuan epërsi që e mbajtën deri në fund, shkruan sot “Koha Ditore”. Ylli Muqolli ishte më efikasi te Kosova me tetë gola, ndërsa shtatë i realizoi Elion Vokshi.

Po të dy, e edhe lojtarët e tjerë kanë pasur shumë dështime e gabime. Me gjithë humbjen, Kosova U-19 ka kaluar në gjysmëfinale. Kosova të enjten mposhti Zelandën e Re (41:14) dhe falë asaj fitoreje ka dalë e dyta në Grupin B pas Kanadasë.

Kanadaja ndaj Zelandës së Re fitoi me rezultatin 37:10. Kosova U-19 në gjysmëfinale do të takohet me Taipein Kinez, që u rendit i pari në Grupin A. Gjysmëfinalja tjetër do të luhet ndërmjet Kanadasë dhe Nigerisë, që ishte e dyta në Grupin A. Gjysmëfinalja e parë Taipei Kinez – Kosova luhet të shtunën (sot, 13:00), ndërsa e dyta nga ora 17:00. Të shtunën luhen edhe gjysmëfinalet në grupmoshën U-21.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme